Rreziqet dhe sfidat me të cilat përballet Ballkani Perëndimor ishin temë debati në Kongresin amerikan, ku ligjvënës dhe ekspertë, disktuan mbi rrugën drejt stabilitetit të rajonit.
Pjesëmarrës në diskutime në Komitetin për Politikë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve i kanë bërë thirrje administratës së Presidentit Donald Trump të angazhohet më shumë në Ballkanin Perëndimor, për ta stabilizuar rajonin, duke vlerësuar se Rusia, përmes Serbisë, është faktori kryesor për destabilizim.
Duke hapur seancën dëgjimore të martën vonë, kryetari republikan i Nënkomitetit për Evropën, Keith Self, vlerësoi se Ballkani Perëndimor, përveç Ukrainës që është nën pushtimin rus, është “rajoni më i paqëndrueshëm në Evropë”.
“Marrëdhëniet e pazgjidhura të Serbisë me Kosovën janë një nga nxitësit kryesorë të paqëndrueshmërisë rajonale, çka më tej i mundëson Rusisë ta minojë Bashkimin Evropian dhe aftësinë e NATO-s për t’i fuqizuar vendet e Ballkanit”, tha Self.
Përkeqësimi i situatës në Bosnje e Hercegovinë ka çuar, sipas tij, në “rritje të madhe të përdorimit të kompetencave juridikisht të diskutueshme” të përfaqësuesit të lartë ndërkombëtar. Në rast konflikti, aleatët e NATO-s,Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, do të jenë drejtpërdrejt në shënjestër, gjë që mund të çojë në aktivizimin potencial të nenit 5 të Aleancës, tha Self, duke shtuar se aleatët e NATO-s në Ballkan duhet të ndërtojnë së bashku pengesë politike dhe ushtarake, por se Kosova do të jetë veçanërisht e ekspozuar për shkak se nuk është pjesë e aleancës perëndimore.
Edward P. Joseph, ligjërues në Universitetin Johns Hopkins në SHBA dhe ekspert i menaxhimit të konflikteve, tha se ndonëse asnjë aktor i vetëm, vendës apo ndërkombëtar, nuk është plotësisht përgjegjës për tensionet dhe dobësitë e vazhdueshme në Ballkanin Perëndimor, “një parakusht për stabilitet mbetet i paplotësuar: Serbia duhet të pranojë rendin perëndimor për rajonin”.
Ai theksoi se ka ardhur koha që SHBA të jetë më e vendosur në orientimin e Beogradit drejt një zgjedhjeje përfundimtare strategjike, duke shtuar se rruga euroatlantike është zgjedhja e vetme racionale për Serbinë, e cila, sipas tij, nuk duhet të bëhet Bjellorusia e Ballkanit.
Sipas Joseph, rruga drejt stabilitetit të qëndrueshëm kalon përmes Beogradit, jo përmes lutjeve ndaj qeverisë, por përmes një qasjeje të fortë dhe partneriteti të vërtetë. (A2 Televizion)