Greqia ka nënshkruar një kontratë të re të rëndësishme me Francën për blerjen e 16 raketave moderne Exocet MM40 Block 3C, duke forcuar ndjeshëm kapacitetet mbrojtëse dhe ofensive të Marinës së saj.
Marrëveshja u firmos nga Ministri i Mbrojtjes, Nikos Dendias, dhe homologu i tij francez, Sébastien Lecornu, në kuadër të bashkëpunimit strategjik mes dy vendeve.
Exocet MM40 Block 3C përfaqëson versionin më të ri të raketës franceze kundër anijeve dhe ka hyrë në shërbim në vitin 2023 në Marinën franceze. Ky model sjell përmirësime të mëdha krahasuar me versionet paraardhëse, si në rrezen e veprimit, precizionin, fleksibilitetin operativ dhe mbrojtjen kundër ndërhyrjeve elektronike.
Kjo armë vlerësohet si një mjet me fuqi të lartë parandaluese, veçanërisht në zonën e ndjeshme të arkipelagut grek dhe Mesdheut Lindor, ku tensionet rajonale shpesh janë të larta.
Aftësi të avancuara teknologjike
Raketa Exocet MM40 Block 3C është e pajisur me një sistem të përparuar drejtimi "koherent" radari aktiv, i cili e bën shumë më rezistente ndaj kundërmasave elektronike. Ajo mund të dallojë objektivat realë nga karremët dhe të synojë pjesë specifike të anijes kundërshtare, si ura e komandimit apo sistemet e radarit, për të shkaktuar dëme maksimale.
Gjithashtu, raketa është në gjendje të sulmojë objektiva tokësore afër vijës bregdetare, përfshirë baza ushtarake, portet dhe infrastrukturën strategjike, falë udhëzimit të kombinuar GPS dhe sistemit inercial.
Raketa është e gjatë 5.6 metra, peshon 740 kg me kokën e saj luftarake që mban 160 kg eksploziv dhe arrin shpejtësi Subsonike (0.9 Mach), me rreze veprimi deri në 200 km.
Raketat do të integrohen në fregatat më moderne të Greqisë, të klasës FDI HN "Belharra", por ato gjithashtu mund të lëshohen nga korveta, anije raketore, sisteme bregdetare dhe madje edhe nga avionë Rafale në versionin AM39.
Falë aftësisë për fluturim në lartësi të ulët një deri në dy metra mbi det, raketa shmang zbulimin e hershëm nga radarët armikë, duke i dhënë objektivit kohë minimale për të reaguar. Për më tepër, Exocet MM40 Block 3C ka mundësi për risulm në rast se goditja e parë dështon.
Me blerjen e këtyre 16 raketave moderne, Greqia jo vetëm rrit fuqinë e saj mbrojtëse, por edhe dërgon një sinjal të qartë te Turqia, pasi gara e armatimit me Ankaranë vijon pavarësisht qetësisë aktuale. (A2 Televizion)