Kapetanovic: Rruga për në BE kalon nga oborri i fqinjit

Nga A2 CNN
23 Prill 2026, 10:51 | Ballkani

Kapetanovic: Rruga për në BE kalon nga oborri i fqinjit

Në një kohë kur Ballkani Perëndimor flet shpesh për integrim evropian, por më rrallë për rezultate konkrete, mesazhi nga Samiti Adria Future në Tivar ishte i drejtpërdrejtë: pa bashkëpunim real rajonal, rruga drejt BE-së mbetet vetëm në letra.

Sekretari i Përgjithshëm i Këshilli për Bashkëpunim Rajonal, Amer Kapetanoviç, theksoi se bashkëpunimi mes vendeve të rajonit nuk është luks politik, por kusht për t’u marrë seriozisht nga Brukseli. Sipas tij, në një klimë të fragmentuar gjeopolitike dhe me pasiguri ekonomike në rritje, vendet e Ballkanit duhet të zgjedhin koherencën dhe jo izolimin, përcjell A2 CNN.

“Rruga drejt BE-së kalon përmes oborrit të fqinjit,” tha Kapetanoviç, duke e përkthyer integrimin në një test praktik bashkëpunimi dhe jo në një garë deklaratash.

Fokusi, sipas tij, duhet të zhvendoset nga retorika te zbatimi konkret. Nga lëvizshmëria e lirë dhe integrimi digjital, te tranzicioni i gjelbër dhe krijimi i një tregu më të integruar rajonal. Mesazhi ishte i qartë: investitorët nuk ndjekin fjalimet, por rezultatet.

Në këtë kuadër, roli i RCC-së mbetet kyç për të kthyer marrëveshjet politike në projekte konkrete, sidomos përmes Tregut të Përbashkët Rajonal dhe nismave të Procesit të Berlinit, që synojnë uljen e barrierave dhe afrimin gradual me tregun e përbashkët të BE-së, transmeton A2.

Samiti Adria Future Summit, që zhvillohet nga 22 deri më 24 prill në Tivar, ka mbledhur drejtues politikë, përfaqësues biznesi dhe organizata ndërkombëtare për të diskutuar zhvillimin e qëndrueshëm, inovacionin dhe investimet në rajon.

Në vijim të samitit, vëmendje e veçantë do t’i kushtohet rolit të të rinjve në bashkëpunimin rajonal dhe sfidave si dezinformimi dhe edukimi mediatik, tema që po konsiderohen gjithnjë e më shumë si pjesë e “infrastrukturës” së integrimit evropian.

Mesazhi që del nga Tivati është më pak diplomatik dhe më praktik: BE-ja nuk arrihet me deklarata të përbashkëta, por me rezultate të përbashkëta. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos