Kërcënon me radikalizim në terren, Serbia i quan urat e reja të Kosovës në veri “një armë”

Nga A2 CNN
2 Korrik 2025, 20:02 | Ballkani

Serbia kërcënon me radikalizim në terren kundër Kosovës. Ministri i jashtëm, Marko Gjuriç, përmes një deklarate thotë se dënon ndërtimin e urave të reja mbi ibër që do të bashkojë dy Mitrovicat, apo serbët dhe shqiptarët, duke pretenduar se ky është një provokim dhe shkelje e marrëveshjes së Brukselit, pasi sipas tij, nuk është marrë në konsideratë siguria e popullsisë lokale. 

“Në vend që të nxisë besimin dhe dialogun, Kurti ka zgjedhur përsëri konfrontimin, duke përdorur infrastrukturën si armë për të thelluar përçarjen, për të ndezur tensionet etnike dhe për të fituar pikë përpara zgjedhjeve lokale. Nuk është rastësi që ky njoftim vjen në një moment të përshtatshëm politikisht, ndërsa veriu i Kosovës mbetet nën presion administrativ dhe një gjendje de facto pushtimi”, deklaroi ministri Gjuriç.

Ministri serb vazhdon me retorikën e tij, duke e konsideruar urën kryesore mbi Ibër si një simbol të konfliktit të pazgjidhur. Gjuriç, duke përdorur propagandën e zakonshme, pretendon se kjo është një përpjekje e qeverisë Kurti për të larguar minoritetin serb nga veriu i Kosovës. 

“Ne i bëjmë thirrje Bashkimit Europian, KFOR-it, dhe të gjithë aktorëve ndërkombëtarë përkatës që të ndërhyjnë menjëherë dhe të ndalojnë këtë veprim të rrezikshëm. Mosreagimi ndaj shkeljeve të tilla jo vetëm që diskrediton procesin e dialogut, por edhe inkurajon radikalizmin në terren”, shtoi kreu i diplomacisë serbe.

Ministri serb sinjalizon sërish mundësinë e ndonjë provokimi apo përpjekjeje për cenimin e sigurisë së Kosovës.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos