Kos: BE në një mendje për zgjerim të mëtejshëm

Nga A2 CNN
1 Korrik 2025, 22:19 | Ballkani

Kos: BE në një mendje për zgjerim të mëtejshëm

Komisionerja e BE-së për Zgjerimin Marta Kos tha në Shkup. se "nëse e bëjmë si duhet procesin e zgjerimit, mund ta bashkojmë Europën tonë, ndërsa Europa nuk mund të jetë e bashkuar pa Ballkanin Perëndimor. Dua të jem shumë e qartë. Ka konsensus të qartë për zgjerim të mëtejshëm tani, por dritarja e mundësisë ndoshta nuk do të jetë aty gjithmonë”.

Sipas saj po shihet një përparim i rëndësishëm. Shqipëria ka hapur tre kapituj gjatë gjashtë muajve të fundit. Nëse vazhdojmë me këtë ritëm, do të mund t'i hapim të gjithë kapitujt bkëtë vit. Ndërkohë Mali i Zimbylli edhe një kapitull të premten e kaluar. Në Bosnje e Hercegovinë është miratuar agjenda e reformave dhe nga Kosova po presim që qeveria e re e zotit Kurti, të vendosë më në fund më shumë energji në procesin e anëtarësimit. Ndërkohë, tashmë po ecim përpara edhe me Serbinë, tha Kos.

Kos: Plani i Rritjes është plotësisht në duart tuaja

Sipas eurokomesares për zgjerim, Marta Kos, Plani i Rritjes është një mjet ndihme për reformat e rëndësishme, të cilat janë të domosdoshme edhe si përgatitje për anëtarësim. Njëkohësisht ky plan u mundëson qytetarëve dhe bizneseve të Ballkanit Perëndimor të përfitojnë nga tregu unik i BE-së, në kushte të barabarta me vendet anëtare. Ajo shtoi se vendet kanë bërë shumë, por tani është koha të intensifikohet faza e zbatimit.

"Thënë thjesht, kjo do të thotë që një sipërmarrës i ri, për shembull këtu në Shkup apo në Tiranë, mund të pranojë pagesa nga e gjithë Evropa po aq lehtë sa edhe një biznes në Vjenë apo Madrid”, tha Kos.

Mickoski: Ballkani Perendimor rajon në zhvillim

Jemi të vendosur të ecim drejt një të ardhmeje evropiane më të fortë, më elastike dhe më të integruar, sepse Ballkani Perëndimor nuk është më një dhomë pritjeje, por një rajon në zhvillim, tha kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, në fjalimin e tij në takimin e liderëve BE-Ballkani Perëndimor.

"Rajoni ynë është pjesë jetësore e Evropës dhe një pjesë integrale e së ardhmes së saj. Ballkani Perëndimor është një rajon i pasur me potencial dhe ambicie, megjithëse shumë shpesh ka narrativa përçarjeje. Ky samit i kushtohet një vizioni të përbashkët, një vizioni ku investimet lulëzojnë dhe inovacioni ofron mundësi për të gjithë. Një vizion ku Ballkani Perëndimor nuk është më një dhomë pritjeje, por një rajon që është në zhvillim”, tha Mickoski.

Rama: Kurrë s'kemi qenë më afër anëtarësimit në BE

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se vendet e Ballkanit janë sot më afër se kurrë realizimit të aspiratës për anëtarësim në BE.

"Kurrë nuk kemi qenë më afër realizimit të një aspirate shumë-shekullore dhe më vjen mirë që ka një atmosferë pozitive në këtë drejtim. Jemi shumë afër anëtarësimit dhe besoj fort që do t'i përmbushim të gjitha detyrimet tona. Plani i përbashkët do të realizohet plotësisht,” tha Edi Rama. DW (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos