Kosova, peng e krizës politike, Serbia merr miliona euro nga be pavarësisht “puthjes” me Rusinë

Nga A2 CNN
20 Qershor 2025, 20:02 | Ballkani

Disa ditë më parë u përqafua dhe u puth me Putinin e Rusisë, ndërsa tashmë mori dhe miliona euro nga Bashkimi Europian.

Politikat e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, që ulet në disa karrige gjeopolitike, vazhdojnë që të shpërblejnë, pavarësisht se Brukseli e ka kritikuar publikisht dhe ashpër këtë qasje.

Sipas njoftimit zyrtar, qeveria e Beogradit ka marrë 51.7 milionë euro nga Komisioni Europian, si pjesë e parafinancimit të parashikuar në Planin e Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor.

Gjithashtu pritet të marrë edhe një parafinancim shtesë prej 59 milionë eurosh, në formën e granteve dhe kredive të buta. Brukseli saktëson se disbursimet e ardhshme do të bëhen nëse përmbushen hapat e radhës në reformat e kërkuara.

Sa i përket Kosovës, që ende nuk ka përfituar nga Plani i Rritjes, Bashkimi Europian konfirmon se gjithçka ka ngecur si pasojë e krizës politike, sepse marrëveshja nuk është miratuar ende në parlament.

“Kosova duhet të përmbushë të njëjtat kushte procedurale për të marrë edhe parafinancim, duke përfshirë ratifikimin e Marrëveshjeve të Lehtësimit dhe Huave.”

Bashkimi Europian ka miratuar planin e rritjes për Ballkanin Perëndimor me një vlerë totale prej 6 miliardë eurosh, ku 2 miliardë janë grante dhe 4 miliardë të tjera në formën e huave të buta.

Serbia është përfituesi më i madh i parave europiane me rreth 1.6 miliardë euro, më pas Bosnja dhe Hercegovina, Shqipëria, Kosova pritet të marrë 880 milionë euro, ndërsa Maqedonia e Veriut 807 milionë dhe Mali i Zi vetëm 383 milionë euro. Këto fonde kanë për synim që të mundësojnë zbatimin e reformave dhe afrimin e këtyre shteteve me BE-në. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos