Mbi 600 emigrantë të paligjshëm kanë mbërritur në Kretë vetëm brenda pak orësh këtë të hënë, me situatën në frontin libian që është mbytëse për ishullin.
Vetëm pak orë pas vizitës së Ministrit të Punëve të Jashtme, George Gerapetritis në Libinë lindore dhe takimit të tij me Khalifa Haftar, u hap "kanula" e kontrabandistëve, duke rezultuar në mbërritje rekord vetëm dje me 959 persona që zbarkuan brenda një dite.
Fluksi vazhdoi pa ndërprerje, pasi nga mesnata deri të hënën pasdite më shumë se 600 persona kanë zbarkuar, në disa raste vetë, në të tjera pas shpëtimeve nga Roja Bregdetare, duke shkaktuar shqetësim në Ministrinë e Imigracionit dhe Azilit në lidhje me menaxhimin e tyre.
Sipas mediave greke, kryetari i bashkisë së Rethymnos, Giorgos Marinakis ka deklaruar se qeveria lokale nuk mund ta përballojë më këtë situatë, pasi nuk ka vende për të akomoduar një numër kaq të madh emigrantësh të paligjshëm.
"Po i gjunjëzojmë sheshet dhe dinjitetin tonë", tha ai duke shtuar se situata është e vështirë. "Thika ka arritur në palcë, duhet të gjendet një zgjidhje", shtoi Marinakis.
Aktualisht në Rethymno ka 480 emigrantë të paligjshëm, të cilët janë të vendosur kryesisht në qendër të qytetit dhe zonën e portit.
Operacionet janë të njëpasnjëshme për të gjetur dhe shpëtuar emigrantët në jug të Kretës. Operacioni i parë u zhvillua herët në mëngjes, kur një anije e Frontex vuri re dy varka në zonën detare në jug të Gavdos, që transportonin afërsisht 305 persona.
Disa orë më vonë, pasoi një operacion i dytë në të njëjtën zonë detare, gjatë të cilit u gjetën tre anije të tjera me 260 persona në bord. Një anije e Rojës Bregdetare nxitoi në vendngjarje, përfundoi mbledhjen dhe transportoi migrantët në portin e Paleochoras.
Në një incident të tretë, 68 persona të tjerë u zbarkuan në plazhin Chrysostomos dhe u transferuan në Kali Limenes.
Zëvendëskryetarja përgjegjëse e Bashkisë së Hanias, Eleni Zervoudaki, i tha ERT-së shqetësimin e saj për rezultatin e qetë të mikpritjes, pasi situata mbytëse do të arrijë kufijtë e hapësirës së përkohshme të mikpritjes.
"Shpresojmë të mos kemi incidente të reja, sepse me të vërtetë nuk do të kemi ku t'i vendosim", tha Zervoudaki. (A2 Televizion)