Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, konfirmoi se ciklet e shpeshta zgjedhore në Kosovë janë arsyeja kryesore përse, prej kohësh, nuk ka pasur një raund të ri dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit, në nivel liderësh, shkruan A2 CNN.
Ajo u tha gazetarëve se ka gatishmëri si nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ashtu edhe nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për një takim në kuadër të dialogut, por se shpallja e zgjedhjeve të reja të parakohshme në Kosovë e ka shtyrë sërish procesin.
“Ne, në fakt, kishim planifikuar dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës - dialog politik në nivel të lartë. Kishim pëlqimin e të dy liderëve - nga Kosova dhe nga Serbia - por tani po afrohen sërish zgjedhjet në Kosovë, gjë që natyrisht e shtyn procesin”, tha Kallas. “Unë, megjithatë, po punoj veç e veç me të dyja palët që të mund të vazhdojmë me zbatimin e marrëveshjeve që tashmë janë në fuqi”, shtoi ajo. (A2 Televizion)