
Avokatët e ish-komandantit ushtarak të serbëve të Bosnjës, Ratko Mladic, kanë kërkuar lirimin e tij nga burgu në Hagë, duke argumentuar se ai ndodhet në gjendje kritike shëndetësore dhe pranë fundit të jetës.
Sipas një parashtrese të dorëzuar në gjykatën e OKB-së, Mladic, 84 vjeç, ka qenë prej kohësh i shtrirë në shtrat ose i detyruar të përdorë karrocë me rrota, përcjell A2 CNN. Avokatët pretendojnë se së fundmi ai ka pësuar një goditje në tru gjatë një bisede me të birin, çka e ka lënë pothuajse të paaftë për të folur. Dy mjekë kanë vlerësuar gjendjen e tij si të rëndë, duke theksuar se rreziku për vdekje të afërt është i lartë.
Mbrojtja kërkon lirimin e menjëhershëm, të përkohshëm ose me kushte, me qëllim transferimin e tij në një spital apo institucion kujdesi ku flitet gjuha serbe. Autoritetet në Beograd kanë shprehur gatishmërinë për të ofruar garanci nëse gjykata vendos për lirimin e tij.
Vendimi përfundimtar pritet të jepet nga gjyqtarja Graciela Gatti Santana, e cila ka kërkuar një vlerësim të pavarur mjekësor mbi gjendjen aktuale të Mladicit dhe mundësitë e trajtimit të tij.
Mladic u dënua me burgim të përjetshëm në vitin 2017 për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë luftës në Bosnje (1992-1995). Vendimi u la në fuqi pas apelimit në vitin 2021. Ai konsiderohet përgjegjës për rrethimin e Sarajevës dhe masakrën e Srebrenicës, ku u vranë mbi 8000 burra dhe djem boshnjakë.
Organizatat që përfaqësojnë viktimat dhe të mbijetuarit kundërshtojnë fuqishëm kërkesën për lirimin e tij, duke e cilësuar atë si një manovër ligjore dhe jo një akt humanitar. (A2 Televizion)