Kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, tha se Dita kombëtare e bashkisë së Ulqinit të shtunën e 5 prillit nuk do të festohet me një seancë formale, por në formë proteste.
“Siç e dini, e shtuna e parë e muaji prill, është dita e Ulqinit. Ditë me mjaft simbolikë kur mbaron vjelja dhe puna në ullishtë dhe fillon sezoni i detarisë. Edhe pse kjo duhet të jetë ditë solemne, pas asaj që ka ngjarë dhe vazhdon të ngjajë, për gjoja investime marramendëse dhe zhvillimin e Ulqinit, mendoj se nuk ka vend për atmosferë festive. Mendoj se është koha për të ngritur zërin, për të dalë së bashku me ju në protestë madhështore, për të mbrojtur Ulqinin nga vendime që po bëhen pa u pyetur ne dhe pa u dëgjuar ju. Në këtë protestë duam të dëgjohet zëri juaj, i fëmijëve tuaj, në këtë protestë dua të mbështesni njëri-tjetrin”, tha kreu i komunës bregdetare.
Sipas tij mijëra qytetarë do të dalin në orën 12:00 në vendin e quajtur Plazhi i Vogël kundër vendimeve që qeveria ka marr për investime në bregdet.
“Pra të shtunën le ta shënojmë Ditën e Ulqinit me dalje madhështore në protestë, dhe jo me Kuvend solemn dhe jo me aktivitete të tjera, pavarësisht se të gjitha i kishim përgatitur. Të nderuar qytetarë, të gjitha forcat politike të komunës kemi vendosur që mbledhjen solemne të Kuvendit të Komunës së Ulqinit të mos e mbajmë në formë solemne, por në formë proteste. Për këtë ju ftoj që të shtunën, në orën 12:00 t’i tregojmë qeverisë se në qofte se nuk dëshiron t’i dëgjojë 33 këshilltarët e Kuvendit, jemi ne mijëra qytetarë këtu për t’ia dhënë mesazhet.” (A2 Televizion)