Liria ka emër! Shkupi në protestë, kërkohet drejtësi për ish-krerët e UÇK-së

Nga A2 CNN
13 Dhjetor 2025, 14:33 | Ballkani

Pas Prishtinës dhe Tiranës, edhe Shkupi proteston sot në shenjë solidariteti me ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po përballen me një proces gjyqësor në Gjykatën Speciale në Hagë. Organizator i protestës është Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, e cila ka bërë thirrje për pjesëmarrje qytetare dhe paqësore.

Tubimi ka nisur rreth  13:00, në sheshin “Skënderbeu”, dhe ka mbledhur mbështetës nga Shkupi dhe trevat përreth. Protesta ka marrë përkrahje publike edhe nga përfaqësues të rëndësishëm politikë shqiptarë në rajon.

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka ftuar qytetarët që të bashkohen në protestë, duke theksuar se qëllimi i saj është kërkesa për drejtësi dhe kundërshtimi i akuzave që, sipas tij, janë të motivuara politikisht dhe të ndërtuara mbi narrativa të fabrikuara nga Serbia dhe Rusia. Ai ka nënvizuar se pjesëmarrja në tubim përfaqëson një akt ndërgjegjeje kolektive për ruajtjen e së vërtetës historike dhe respektin ndaj sakrificës së luftës.

Mbështetje për protestën ka shprehur edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili ka deklaruar se pas tubimeve të zhvilluara në Prishtinë dhe Tiranë, edhe Shkupi po bashkohet në thirrjen për drejtësi. Ai ka theksuar rëndësinë e unitetit dhe të ruajtjes së vlerave kombëtare, duke bërë thirrje për protestë paqësore dhe dinjitoze.

Përfaqësues të OVL-UÇK-së kanë paralajmëruar se ekziston mundësia e arrestimeve, për shkak të listave të Europolit që, sipas tyre, janë përcjellë nga Serbia. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos