
Aeroporti i Heraklionit në Kretë të Greqisë është pushtuar nga fermerët. Kështu raportojnë mediat e shtetit fqinj, duke saktësuar se janë shënuar disa incidente, me përleshje me forcat e policisë, ndërsa automjetet e forcave të rendit janë kthyer përmbys.
Prototema shkruan se disa akse të rrugëve kombëtare në Greqi janë mbyllur dhe se po përgatiten bllokada në portet e Selanikut dhe Volosit.
“Incidente serioze edhe në Hania me hedhje gurësh dhe të substancave kimike të dëmshme, dy të plagosur”, shkruan kjo media. Fermerët në Greqi kanë ashpërsuar protestën e tyre për shkak të vonesave në dorëzimin e subvencioneve nga Bashkimi Europian.
Ata njoftojnë se do të vazhdojnë në këtë formë deri sa të marrin sinjale nga qeveria se do të përfshihen në një dialog të mundshëm. Fermerët grekë paralajmërojnë me bllokime të shumta, nga rrugët, doganat, portet, aeroportet dhe zyrat qeveritare nëse situata me subvencionet nuk ndryshon. (A2 Televizion)