Ministri i Zhvillimit Ekonomik të Rusisë, Maksim Reshetnikov deklaroi gjatë një vizite në Beograd se Moska e “çmon politikën e balancuar” të Serbisë dhe qëndrimin e saj për të mos vendosur sanksione ndaj Rusisë.
Reshtnikov u takua me kryeministrin e Serbisë, Millosh Vuçeviq, në kryeqytetin serb dhe ata biseduan për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik dhe të përgjithshëm ndërmjet dy vendeve.
Reshetnikov është në mesin e një numri zyrtarësh nga Moska që janë nën sanksione perëndimore për shkak të pushtimit të Ukrainës nga Rusia, që nisi më 2022.
Serbia thotë se e mbështet integritetin territorial të Ukrainës, por ajo nuk po pranon të rreshtohet përkrah Bashkimit Evropian, për të vendosur sanksione ndaj Rusisë, ndërsa përfaqësuesit e autoriteteve në Beograd vazhdojnë të mbajnë lidhje me Kremlinin.
Në njoftimin e Qeverisë së Serbisë, thuhet se kryeministri, duke folur për sanksionet ndaj Rusisë, ka thënë se Serbia “përkundër presioneve të mëdha udhëheq një politikë të lirë dhe të pavarur” dhe se ka bashkëpunim të mirë si me Rusinë ashtu edhe me Bashkimi Evropian, Kinën dhe vende të tjera.
Rusia është mbështetja më e madhe e Serbisë në kundërshtimin e pavarësisë së Kosovës, të cilën Prishtina e shpalli më 2008.
Vuçeviq gjatë bisedës ka theksuar se Serbia është e gatshme të diskutojë për vazhdimin e kontratës për furnizim me gaz rus dhe se marrëveshja nga Shën Peterburgu për furnizim shtesë me gaz gjatë sezonit dimëror është e një rëndësie të madhe për Serbinë.
Prej fillimit të pushtimit rus të Ukrainës, Serbia ka nisur të punojë për gjetjen e burimeve të tjera të furnizimit, por gazi ende kryesisht vjen nga Rusia.
Vuçeviq e falënderoi Rusinë që e ftoi Serbinë të marrë pjesë në samitin e BRICS, një grup i kryesuar nga nga vende si Rusia, Kina dhe India. REL (A2 Televizion)