Java vijon me mot të ftohtë, nga e diela reshje shiu dhe dëbore

Nga A2 CNN
5 Nëntor 2026, 08:36 | Aktualitet

Moti në Shqipëri do të vijojë të jetë i kthjellët në pjesën më të madhe të territorit, por temperaturat do të mbeten të ulëta, veçanërisht në orët e mëngjesit. Meteorologia e A2 CNN Tanja Porja tha në Dita Jonë, se gjatë ditës së sotme temperaturat maksimale do të arrijnë deri në 22 gradë celsius, kryesisht në zonat jugperëndimore, ndërsa në zonat malore do të luhaten nga 13 deri në 16 gradë.

Sipas meteorologes së A2 CNN, të premten pritet një tjetër rënie e lehtë e temperaturave, me mot kryesisht të kthjellët, por të ftohtë.

“Mëngjesi i së shtunës do të sjellë temperatura deri në minus 1 gradë celsius në zonat e thella malore, ndërsa nga mesdita e kësaj dite dhe gjatë së dielës pritet një rritje graduale e vlerave termike. Ndryshimi i kushteve atmosferike do të nisë nga fundjava. Të shtunën pasdite dhe gjatë natës do të shtohen vranësirat, të cilat do të mbizotërojnë deri të martën. Të dielën parashikohen reshje të pakta shiu, kryesisht në hapësirat detare dhe përgjatë vijës bregdetare. Të hënën reshjet do të përfshijnë kryesisht veriun dhe zonat perëndimore, ndërsa të martën pritet të shtrihen në pothuajse të gjithë territorin, me intensitet disi më të lartë”, tha metorologia e A2 CNN.

Në zonat malore, mbi 1500 metra lartësi, nga e diela deri të martën priten edhe reshje dëbore. Sipas meteorologes Porja, ato do të jenë në formën e flokëve të pakta, me një shtresë prej rreth 2-3 centimetrash, kryesisht në zonat e pabanuara. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos