Ministri sulmon aleancën shqiptaro-kroate, Gjuriç kërcënon: Ushtria jonë, garanci për serbët e Kosovës

Nga A2 CNN
8 Shtator 2025, 17:15 | Ballkani

Ministri sulmon aleancën shqiptaro-kroate, Gjuriç

Serbia vazhdon kërcënimet ndaj Kosovës. Ministri i jashtëm, Marko Gjuriç, gjatë një interviste për Televizionin Publik RTS, përsëriti propagandën e zakonshme duke pretenduar se serbët në Kosovë po vuajnë.

Ai madje theksoi se Beogradi është i pakënaqur me qëndrimet e bashkësisë ndërkombëtare ndaj zhvillimeve përpara zgjedhjeve lokale në Kosovë.

“Garancia më e madhe e sigurisë për serbët në Kosovë është politika jonë e përgjegjshme, ushtria dhe miqtë në botë. Komuniteti ndërkombëtar ka mbyllur sytë ndaj aparteidit të Albin Kurtit në Kosovë. Serbët po bëhen qytetarë të dorës së dytë në atë zonë. Është e rëndësishme që të qëndrojmë të bashkuar në zgjedhjet e ardhshme”, tha ministri Gjuriç.

Duke harruar aleancat ushtarake me Rusinë dhe Kinën, në kundërshtim me vlerat europiane, ministri serb tregon hipokrizi kur dënon paktet që Kroacia ka bërë me Slloveninë, duke kërkuar që Beogradi të ishte pyetur për të.

Gjuriç kritikon dhe aleancën shqiptaro-kroate mes Tiranës, Prishtinë dhe Zagrebit, që e quan “padyshim një provokim”, ndërsa pretendon se po kontribuon në përçarjen e Ballkanit.

“E gjithë kjo nuk na çon drejt një besimi më të madh dhe bashkëpunimi më të ngushtë”, thotë ai.

Ministri serb pretendon se Beogradi ka raporte të mira me të gjithë, nga Rusia, Kina e deri te Shtetet e Bashkuara.

“E kemi pozicionuar Serbinë dukshëm më mirë në sytë e SHBA-së. Administrata e Donald Trump ka më shumë respekt për ne”, pretendon ai, duke sjellë në vëmendje pritjen që i bëri në Uashington, sekretari amerikan i shtetit, Marco Rubio. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos