Grafite me emrin e kriminelit të luftës Ratko Mlladiç në Bujanoc, Hasani: Provokim ndaj shqiptarëve

Nga A2 CNN
6 Shtator 2025, 19:05 | Ballkani

Grafite me emrin e kriminelit të luftës Ratko Mlladiç në

Këtë të shtunë, në qendrën e qytetit të Bujanocit, pjesë e rajonit shqipfolës të luginës së Preshevës janë shfaqur të shkruara grafite në alfabetin cirilik (4 C lexohen shkronja S) së bashku me kryqin dhe me emrin e kriminelit të luftës të dënuar për gjenocid në Srebrenicë të Bosnjës e Hercegovinës, Ratko Mlladiç.

Lidhur me këtë rast, profesori Refik Hasani, Koordinator i Kuvendit Kombëtar Shqiptar për Kosovën Lindore (Bujanoc), shkruan se nuk është një sporadik, por se ndodh në vazhdimësi.

“Vitin e kaluar ishte thyer në qendrën e Bujanocit billboard-i i Komandantit të UÇPMB-ës, Ridvan QAZIMI-LLESHI dhe vetëm këto dy vitet e fundit janë në shtim e sipër, pasi janë shfaqur edhe me mbishkrimin ‘Vdekje shqiptarëve’”, shkruan ai.

Po ashtu sipas Hasanit, në Shtëpinë e Shëndetit në qendër të Bujanocit, edhe në Preshevë dhe Medvegjë, “fare nuk janë ndalur së shkruari, grafite, pankarta me mbishkrime ku shprehet gjuha e urrejtjes, provokim, frikësim dhe jepen mesazhe kërcënimi ndaj shqiptarëve”.

Përmes grafiteve në Bujanoc me emrin e Ratko Mlladiç paraqitet urrejtje, provokim, dhe kërcënim. Është për të mbjellur frikë, nën tendenca të vazhdueshme për shpërngulje, asimilim, pastrim etnik e diskriminim. I bëjmë thirrje instancave më të larta të BE-së, dhe mekanizmave të OKB-ës, që të shtojnë prezencën, monitorimin dhe angazhimin, pasi shfaqja e grafiteve sot në qendrën e Bujanocit, është dëshmi se përveç pasivizimit, përmes pastrimit etnik, kemi edhe diskriminim në gjithë segmentet e jetës, dhe kjo krahinë shqiptare është rajoni më i pa zhvilluar në gjithë Evropën”, nënvizon Hasani.

Po ashtu ai i bën thirrje Tiranës dhe Prishtinës zyrtare të reagojnë zyrtarisht duke dënuar këto akte. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos