Presidenti serb Aleksandër Vuçiç këmbënguli se nuk e ka tradhëtuar Rusinë, pas pjesëmarrjes në samitin Ukrainë-evropë juglindore në Odesa.
Në një deklaratë, ai theksoi se Beogradi nuk e kishte nënshkruar dokumentin anti-Moskës në Odesa dhe mbetej koherent ndaj qëndrimit për të mos vendosur sanksione ndaj Rusisë. Komentet i bëri pasi u pyet të komentonte deklaratat për tradhëti ndaj Federatës Ruse.
“Çfarë dhe kë tradhtova? Rusinë? Me çfarë? Duke ardhur në samit? Kjo është hera ime e katërt në samitin e Evropës Juglindore dhe Ukrainës dhe përsëri unë jam i vetmi që nuk e pranova deklaratën. Ndryshe nga ata që do të pranonin gjithçka kundër Rusisë, gjithçka që munden. Por kjo tregon për disfatizmin e tyre të plotë. Për faktin se ata nuk dinë më as çfarë duan”, tha Presidenti serb.
Vuçiç shtoi se deri dje, media e kritikonte atë si agjent rus, dhe tani ai është agjent i dikujt tjetër.
Vuçiç tha në fjalën e tij në samit, se Serbia do t’i mbetet gjithnjë besnike Kartës së OKB, që përfshin mbështetjen për integritetin territorial të vendeve të njohura nga kjo organizatë. (A2 Televizion)