Ballkani Perëndimor është bërë pjesë e paketës së financimit prej 6 miliardë eurosh të Bashkimit Europian. Paketa synon të nxisë reformat në vendet e rajonit dhe nëse reformat ecin me ritme të kënaqshme, paketa e financimit mund të bëhet aktive gjatë verës së këtij viti.
Kështu është shprehur Komisionieri për Zgjerim i BE-së, Oliver Varhelyi në një intervistë për Euroactiv.
“Ne duam të shohim agjendat përkatëse të reformave për këtë vit, në mënyrë që të mund të vazhdojmë me pagesat, shpresojmë para përfundimit të pushimeve verore”.
Shqipëria, Bosnje-Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia – janë në faza të ndryshme në aplikimet e tyre për anëtarësim, por qytetarët janë të frustruar me ritmin e ngadaltë të procesit dhe mungesën e progresit të dukshëm.
Nga gjashtë vendet, vetëm Kosova nuk është kandidate zyrtare për anëtarësim. Mbështetja financiare pritet të veprojë si një 'karotë' për angazhimet e mëtejshme të reformave në procesin e anëtarësimit të vendeve në BE.
I pyetur në lidhje me dispozitat për rastin që kushtet nuk plotësohen nga vendet kandidate, Várhelyi tha se Komisioni Evropian "do t'i rishikojë ato, nëse përputhen me punën në paketën vjetore të zgjerimit".
“Vendet e Ballkanit Perëndimor do të paraqesin hapat e reformës që mund të bëjnë për vitin e caktuar, plani është të rrisin përpjekjet e tyre dje jo t'i pengojnë ato. Nëse shikoni nivelin e zbatimit në këtë fazë të Planit Ekonomik dhe të Investimeve për Ballkanin Perëndimor, ne jemi në gati 65% të zbatimit të plotë të tij dhe kjo është më e larta në të gjithë buxhetin e BE-së”.
Nga paketa financiare e Bashkimit Europian prej 6 miliardë euro, 2 miliardë do të jepen si grante pa kthim, ndërsa 4 miliardë në formën e kredive të favorshme. (A2 Televizion)