“Përfshirja e Vuçiçit në “Safari Snajperësh” është e padiskutueshme”

Nga A2 CNN
21 Nëntor 2025, 11:45 | Ballkani

“Përfshirja e Vuçiçit në “Safari

Gazetari investigativ kroat Domagoj Margetiç ka denoncuar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në Zyrën e Prokurorisë Publike në Milano, në lidhje me rastin “Sarajevo safari”, pra nisjen e një hetimi në Itali mbi akuzat se të huaj kanë paguar për të qëlluar mbi civilë gjatë rrethimit të Sarajevës para tre dekadash.

Se përfshirja e Vuçiçit në këtë rast është e padiskutueshme, e vlerëson në një deklaratë për Antena M themeluesja dhe kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko, transmeton KosovaPress.

“Është e padiskutueshme se Aleksandar Vuçiç, në kohën e safareve njerëzore në Sarajevë, ka qëndruar në pozicionin e Varrezave Hebraike, një nga pozicionet më të shtrenjta dhe më të rrezikshme në qytet. Ai vetë ka deklaruar se ka qenë vullnetar dhe se një periudhë të caktuar e ka kaluar pikërisht në Varrezat Hebraike”, thekson Biserko.

“Përfshirja e Vuçiçit në “Safari

Këtë, vëren ajo, e ka konfirmuar edhe Vojisllav Sheshelj gjatë gjykimit në Hagë. Biserko thekson se për këtë është folur disa herë. “Por kurrë nuk është shtruar hapur pyetja – a mund dikush që ka mbajtur pushkën në kodrat e Sarajevës të bëhet më vonë president i shtetit”, thotë ajo.

Milosheviçi, thekson ajo, ka qenë gabimi i parë i madh. “Por mbetet e çuditshme që i njëjti gabim është përsëritur për herë të dytë, kur progresistët dhe radikalët erdhën në pushtet në vitin 2012”, nënvizon Biserko.

Siç thekson ajo, kjo flet shumë edhe për vetë shoqërinë. “Për një shoqëri që nuk është e gatshme të përballet me përgjegjësinë e vet për luftërat e viteve ’90 dhe të mbajë një qëndrim të qartë e parimor kundrejt bartësve të asaj politike shkatërrimtare. Dihet se sot, Milosheviçi, në një pjesë të konsiderueshme të publikut, perceptohet si një luftëtar i madh për interesat kombëtare serbe”, përfundon Biserko.

Të rikujtojmë, Sarajevo safari përshkruan praktikën sipas së cilës shtetas të pasur të huaj, gjatë rrethimit të Sarajevës, paguanin për mundësinë për të qëlluar mbi civilë, përfshirë gra dhe fëmijë.

Margetiç, ndër të tjera, ditët e fundit ka publikuar materiale për të cilat pretendon se konfirmojnë praninë e Vuçiçit në një nga pozicionet e snajperëve më të kërkuar mbi qytet./KosovaPress (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos