E ardhmja e procesit të zgjerimit të Bashkimit Europian dhe reformat e nevojshme për t’i rikthyer besueshmërinë këtij procesi ishte një nga temat që u diskutua në Konferencën e Sigurisë në Beograd.
Panelistët ranë dakord se zgjerimi mbetet thelbësor strategjikisht, por edhe potencialisht transformues vetëm nëse Bashkimi Europian e përshpejton qasjen e saj dhe forcon mbështetjen për ndryshime të vërteta demokratike dhe institucionale në Ballkanin Perëndimor.
Kritika pati për një qasje të re të Bashkimit Europian përmes disa masave, si Plani i Rritjes, për të cilat nuk ka një lidhje me procesin e anëtarësimit.
“Pas luftës në Ukrainë reflektohet thirrja e gjatë për lëvizje të Ballkanit Perëndimor drejt integrimit në BE, përmes projekteve të ndryshme sikurse ai i fundit, Plani i Rritjes. Problemi me Planin e Rritjes se nuk ka lidhje me zgjerim, pra nuk e dimë si do të ndikojë në integrim zbatimi i klauzolave të këtij plani. Nuk ka linja buxhetore në plan vetëm ka rrethana të jashtëzakonshme, nuk e kuptoj thirrjen por prapë nuk ka mundësi për integrim nëse nuk ka pajtim mes vendeve anëtare, pavarësisht zbatimit të planit”, tha Tanja Mishçeviç, ish-ministre e integrimit europian në Serbi
Pas një dekade skepticizmi, u tha se po shfaqet një mundësi për ata që janë të gatshëm ta shfrytëzojnë.
Në Beograd, u vu në dukje se vetëm rreth 40 për qind e qytetarëve të Ballkanit Perëndimor janë të vetëdijshëm për përfitimet reale ekonomike të anëtarësimit në Bashkimin Europian, duke nënvizuar mungesën e motorëve të fortë të brendshëm për ndryshim.
“I gjithë rajoni ka ngecur për shkak të sigurisë, çështjeve të pazgjidhura bilaterale. Mes Kosovës e Serbisë, pastaj Maqedoni e Veriut-Bullgari. Duhet rol më proaktiv nga Bashkimi Europian, vetë Komisioni Evropian. SHBA është më shumë e përfshirë në rajon sesa që njerëzit mendojnë. Do te ketë një rol të SHBA-së në zgjidhjen e çështjeve të sigurisë në Ballkan, por fatkeqësisht vet Bashkimi Europian është i paaftë të bëjë punën e vështirë në aspektin e sigurisë dhe të eliminojë pengesat që lidhen edhe me zgjerimin e Ballkanit Perëndimor", deklaroi Agon Maliqi.
Për Serbinë u tha se është në një moment vendimtar për të kuptuar orientimin e saj, ndërsa iu bë thirrje Bashkimi Europian që të bashkëpunojë me aktorë që janë të gatshëm të bëjnë reformat e nevojshme për ta çuar Serbinë drejt integrimit. (A2 Televizion)
