Incidente të dhunshme shpërthyen në një tjetër natë, në disa qytete të Serbisë. Protestuesit janë përleshur me policinë në kryeqytetin e Serbisë, Beograd, dhe qytete të tjera, në natën e pestë radhazi të demonstratave kundër qeverisë së presidentit Aleksandar Vuçiç.
Në Valjevo, ku mijëra protestues antiqeveritarë u mblodhën të shtunën në mbrëmje, burra me kapuçë i vunë flakën zyrave të Partisë Progresive Serbe (SNS) në pushtet dhe sulmuan policinë, e cila përdori granata tymuese dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën.
Përleshje shpërthyen edhe në Beograd , ku policia i pengoi protestuesit të shkonin drejt selisë së Partisë Progresive Serbe (SNS) në pushtet, si dhe në qytetin e dytë më të madh të Serbisë, Novi Sad.
Protestat antiqeveritare kanë tronditur shpesh Serbinë që nga shembja e çatisë së një stacioni hekurudhor, ku humbën jetën 16 persona, më 1 nëntor 2024 në Novi Sad, një ngjarje që i atribuohet kryesisht korrupsionit endemik.
Për muaj të tërë, protestuesit kanë kërkuar zgjedhje të parakohshme, të cilat Presidenti Vuçiç i ka refuzuar, duke denoncuar një komplot nga forcat e huaja për të rrëzuar qeverinë. (A2 Televizion)