Serbia është tronditur përsëri nga protestat anti-qeveritare. Protestuesit shkatërruan zyrat e Partisë Progresive Serbe (SNS) në pushtet në qytetin verior të Novi Sadit dhe u përleshën me policinë dhe mbështetësit e SNS-së në kryeqytetin Beograd, një ditë pas trazirave të dhunshme që lanë dhjetëra të plagosur.
Në Novi Sad, qytetin e dytë më të madh të Serbisë, policia dhe mbështetësit e SNS-së besnikë të presidentit populist Aleksandar Vuçiç mungonin ndërsa dhjetëra protestues antiqeveritarë thyen dritaret e zyrave të partisë, hodhën mobilje dhe pajisje të SNS-së dhe spërkatën me bojë hyrjen. "Ai është zhdukur", brohoritën protestuesit në unison, duke iu referuar sundimit 13-vjeçar të Vuçiçit, shkruan A2.
Policia rrethoi disa blloqe në qendër të qytetit të Novi Sadit dhe përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën. Protestat e përditshme në të gjithë Serbinë, të nxitura nga vdekja e 16 personave kur çatia e një stacioni hekurudhor të rinovuar në Novi Sad u shemb nëntorin e kaluar, kanë tronditur popullaritetin e Vuçiçit dhe SNS-së.
Ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Ivica Daçiç, deklaroi se në protestat janë lënduar të paktën 42 policë, ndisa prej të cilëve rëndë, si dhe janë ndaluar 37 persona.
Ai tha se në protestat e 14 gushtit ka ndodhur "një nga sulmet më të ashpra ndaj policisë në vitet e fundit".
"Policia reagoi dhe ndërhyri, përdori mjete kimike aty ku ishte e nevojshme për të zmbrapsur sulmin ndaj vetes. Ky ishte një sulm ndaj shtetit. Ku e merr dikush të drejtën ta sulmojë një polic?", tha Daçiç.
Televizioni N1 raportoi se pranë ndërtesës së Shtabit të Përgjithshëm në Beograd u hedhën mjete piroteknike ndaj qytetarëve.
Në protestën në Nish ka pasur disa incidente të vogla, kur demonstruesit kanë goditur policinë me vezë.
Në Kralevë, qytetarët kanë mbërritur deri te zyrat e SNS-it dhe policia ka bllokuar rrugën ku ndodhen zyrat e kësaj partie dhe selia e policisë, njofton N1.
Policia ka bllokuar hyrjen në zyrat e SNS-it edhe në Leskoc.
Protestat dhe bllokadat e udhëhequra nga studentët në Serbi po zgjasin për më shumë se tetë muaj. Kërkesa kryesore është përcaktimi i përgjegjësisë politike dhe penale për vdekjen e 16 personave nga shembja e strehës prej betoni në Stacionin Hekurudhor në Novi Sad. (A2 Televizion)