Përshkallëzohen tensionet në Serbi, policia përleshet me protestuesit në Beograd dhe Novi Sad

Nga Rosalba Bejdo
3 Korrik 2025, 14:37 | Ballkani

Policia serbe u përlesh me protestuesit antiqeveritarë në Beograd dhe Novi Sad të mërkurën në mbrëmje, pasi demonstruesit bllokuan rrugët duke kërkuar lirimin e personave të arrestuar në protestat e kaluara.

Manifestuesit qëlluan efektivët me karrige dhe objekte të tjera, duke përshkallëzuar më tej tensionet në kryeqytetin serb, shkruan A2.

Mëngjesin e së enjtes, Ministria e Punëve të Brendshme tha se pas aksionit policor, ishin larguar të gjitha bllokadat. Sipas ministrisë, gjatë natës janë kontrolluar gjithsej rreth 1300 persona, ndërsa 79 janë shoqëruar në stacione policore. Siç thuhet, katër policë kanë mbetur të lënduar.

Policia konfirmoi se në disa zona ka pasur incidente të izoluara, përfshirë në Beograd, Nish, Novi Pazar dhe Novi Sad. Në këto lokacione janë arrestuar disa persona për prishje të rendit dhe kryerje të veprave penale. Autoritetet u bënë thirrje qytetarëve që të përmbahen nga veprimet e paligjshme dhe të mos bllokojnë rrugët, në mënyrë që të mos rrezikojnë sigurinë e tyre dhe të të tjerëve.

Një njësi e xhandarmërisë ndërhyri para Fakultetit Juridik në Beograd, ku studentët protestues pretenduan se policia tentoi të hynte brenda objektit, duke shkelur kështu autonominë universitare. Një gazetar i pranishëm në vendngjarje tha për televizionin N1 se studentët kishin bllokuar rrugën dhe se policia ndërhyri me automjete dhe dhunë.

Situata të ngjashme u regjistruan edhe në pjesë të tjera të Beogradit. Në Novi Sad, bllokadat nisën pas orës 18:00 dhe vazhduan gjatë gjithë natës. Përleshjet vijnë pas demonstratave të dhunshme të shtunës të organizuara nga studentët, ku u kërkuan zgjedhje të parakohshme dhe fundi i udhëheqjes12-vjeçare të Vuçiç.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos