Inteligjenca e Rusisë ka zbuluar atë që po konsiderohet nga spiunët e Putinit “një tradhti nga Serbia dhe përpjekje për t’i qëlluar pas shpine sllavët”. Përmes një deklarate me tone shumë të ashpra, thuhet se agjentët rusë kanë arritur të konfirmojnë faktin që kompanitë serbe të mbrojtjes kanë vazhduar të furnizojnë Ukrainën me municione, pavarësisht neutralitetit ushtarak të deklaruar nga Beogradi.
Skema e përdorur nga Serbia për kamuflim, sipas Shërbimit të Inteligjencës së Jashtme të Rusisë, konsiston në përdorimin e certifikatave false të përdoruesit fundor, mes tyre dhe vende të NATO-s që shfaqen shpesh si Polonia, Çekia dhe Bullgaria. Moska e konsideron veprimin e Beogradit, që ka dërguar për forcat e Kievit raketa, abusë dhe mbi një milionë fishekë, si një mbështetje për synimet e Europës për një disfatë strategjike të Rusisë.
“Nuk ka gjasa që dërgesa të tilla të justifikohen nga ‘konsiderata humanitare’. Ata kanë një qëllim të qartë - të vrasin dhe gjymtojnë personelin ushtarak rus dhe popullsinë civile të Rusisë”, deklaroi Shërbimi i Inteligjencës së Jashtme të Rusisë, raporton A2 CNN.
Më pas përmenden me emër të gjitha kompanitë e industrisë së mbrojtjes serbe, të cilat akuzohen se po marrin pjesë në atë që Rusia e quan “rrip transportues të vdekjes”.
“Të krijohet përshtypja se dëshira e punëtorëve të mbrojtjes serbe dhe e patronëve të tyre për të përfituar nga gjaku i popujve vëllazërorë sllavë i ka detyruar ata të harrojnë plotësisht se kush janë miqtë e tyre të vërtetë dhe kush janë armiqtë e tyre. Rusia u ka ardhur vazhdimisht në ndihmë serbëve në momentet më kritike të historisë së tyre. Le të kujtojmë, për shembull, çlirimin e Serbisë nga zgjedha e Perandorisë Osmane, parandalimin e një katastrofe kombëtare gjatë Luftës së Parë Botërore, luftën kundër pushtuesve fashistë dhe ndihmësve të tyre gjatë Luftës së Dytë Botërore, bombardimin e Beogradit nga NATO dhe tragjedinë e Kosovës. Në të gjitha këto faza historike, lidhjet vëllazërore dhe besimi i përbashkët mbetën të patundura për rusët në marrëdhëniet e tyre me serbët”, deklaroi Shërbimi i Inteligjencës së Jashtme të Rusisë, reansmeton A2 CNN.
Këto tensione mes dy aleatëve vijnë pas vizitës që zhvilloi presidenti serb Aleksandër Vuçiç në Rusi, ku përveç kremtimit të Ditës së Fitores ndaj nazistëve, u takua me homologun Vladimir Putin. Mes temave të trajtuara ishte dhe situata në Ballkanin Perëndimor. (A2 Televizion)