Si për të bërë balancën, Presidenti serb Aleksandër Vuçiç u takua në Beograd me ambasadorin e Rusisë, Aleksandër Boçan Kharçenko. Ai bëri me dije se diskutuan kryesisht për marrëveshjen për furnizimin me gaz, shkruan A2.
“Bashkëpunimi ndërmjet Serbisë dhe Federatës Ruse, pavarësisht nga pengesat e shumta, do të vazhdojë në një trajektore rritëse”, njofton Vuçiç.
Më herët, ambasadori rus i shkoi në zyrë drejtuesit të partisë në pushtet, ish-kryeministrit Millosh Vuçeviç. Sipas raportimeve nga Beogradi, ata diskutuan për atë që e konsideruan “situatë alarmante në Kosovë”, duke pretenduar një terror të autoriteteve të Kosovës ndaj serbëve.
Ndërkohë, nga Moska, lideri i Republika Srpska në Bosnje dhe Hercegovinë, Millorad Dodik, njofton se Rusia po i ndjek nga afër zhvillimet në Ballkan. Ai u takua me Sekretarin e Këshillit të Sigurisë të Federatës Ruse, Sergei Shoigu, që konsiderohet dhe si njeriu më i pushtetshëm pas presidentit Vladimir Putin. (A2 Televizion)