Studentët në Serbi vijojnë protestat për më shumë se një vit pas tragjedisë në Novi Sad, ku shembja e një çatie i kushtoi jetën 16 personave. Kriza ka nxjerrë në pah kolapsin e besimit te institucionet, instrumentalizimin e aparatit shtetëror të shtypjes nga partia në pushtet dhe refuzimin e qeverisë për t’u përfshirë në dialog me opozitën dhe shoqërinë civile.
Protestat, të udhëhequra nga studentët dhe të mbështetura nga nisma të gjera qytetare, kanë ngritur kërkesa për ndryshime politike, por po përballen me represion të ashpër, shkruan A2 CNN. Gjatë Konferencës së Sigurisë në Beograd, përfaqësues të studentëve thanë se vendosën të garojnë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare për të synuar ndryshimet që duan të bëjnë në Serbi.
“Ne kurrë nuk e përmendëm Vuçiçin. Madje nuk deshëm as të flisnim me të. Por ai, ndoshta si kapoja i mafies së krimit të organizuar që kemi në Serbi, ndjeu detyrimin të na drejtohej. Ne, në fakt, nuk deshëm të flisnim me Vuçiçin. Më 5 maj, besoj, bëmë një hap të madh në drejtimin e duhur duke kërkuar zgjedhje parlamentare dhe duke thënë: në rregull, nuk mund ta ndryshojmë sistemin nëse nuk ndryshojmë këtë qeveri dhe këtë regjim”, tha Aleksa Simiç.
Studentët thanë se fati i Vuçiçit është i përcaktuar tashmë dhe se ai do të largohet nga pushteti deri në vitin 2027, por shtuan se i takon presidentit serb të vendosë se si do të largohet. Ata paralajmëruan se protestat mund të përshkallëzohen në çdo moment.
“Mendoj se kur flasim për kulturën demokratike, ajo është një nga aspektet më të rëndësishme të trashëgimisë së protestave serbe, sepse kur e gjithë kjo të ketë mbaruar dhe të kemi ndryshuar regjimin, dhe besoj se regjimi i Vuçiçit do të largohet deri në vitin 2027, pa asnjë dyshim, do të shohim vetëm se si do të largohen, dhe kjo varet prej tyre. Por kur kjo të mbarojë, do të kemi mijëra të rinj që janë gati të marrin përgjegjësi për atë që ndodh në shoqërinë e tyre”, shtoi Simiç.
Opozita në Serbi po synon të bashkëpunojë ngushtë me qëllimin e njëjtë sikurse të studentëve: atë të largimit nga pushteti të Partisë Progresiste Serbe. Borko Stefanoviç, dikur negociator i Beogradit në bisedimet me Kosovën, tha se Vuçiç nuk ka interes për integrimin e Serbisë në Bashkimin Europian.
“Regjimi ynë nuk ka absolutisht asnjë synim t’i bashkohet Bashkimit Evropian, sepse nëse hedhin edhe një hap të mëtejshëm drejt integrimit, do të bien nga pushteti. Prandaj nuk kanë asnjë interes të anëtarësohen. Dhe sigurisht, kjo lojë, që në thelb është loja e z. Vuçiç që përpiqet të imitojë Titon nga AliExpress, po vjen drejt fundit, sepse fizikisht është e pamundur të ulesh në katër karrige pa rënë në tokë – dhe pikërisht këtë po shohim tani që po ndodh”, tha Borko Stefanoviç, deputet nga Partia për Liri dhe Drejtësi.
Një vit pas tragjedisë në Novi Sad, ende askush nuk është shpallur fajtor, ndërsa tensionet dhe dhuna mes studentëve dhe grupeve që mbështesin Vuçiçin janë rritur me kalimin e kohës. (A2 Televizion)
