“Pushtimi arab” i Ulqinit, kryeministri nuk pyet shqiptarët në Ulqin, por opozitën

Nga A2 CNN
7 Prill 2025, 17:07 | Ballkani

Kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiç, nuk merr në konsideratë kundërshtimin e projektit të investimeve nga Emiratet e Bashkuara Arabe në plazhin kryesor të Ulqinit. Ai njoftoi se synimi i tij është që të merret vesh me grupet parlamentare, për ta kaluar atë në kuvend për miratim.

Këtë deklaratë e bëri gjatë një konference për shtyp në Podgoricë me shefen e Bashkimit Europian për Politikë të Jashtme, Kajas Kallas, e cila gjithashtu komentoi projektin që ka zemëruar shqiptarët në Mal të Zi.

“Kemi filluar konsultimet me grupet parlamentare. Në bazë të reagimeve fillestare do të thoja se mund të llogarisim edhe në mbështetjen e një pjese të opozitës. Është shumë e rëndësishme që një projekt si ky të mbështetet nga sa më shumë deputetë, sepse kjo është diçka për të cilën duhet të kemi një konsensus dhe jo të luftojmë politikisht. Bashkëpunimi me Emiratet e Bashkuara Arabe është në përputhje me partnerët e BE-së dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë marrëveshje të tilla me disa anëtarë të BE-së. Investime të tilla janë bërë edhe në Shqipëri. Përveç Emirateve, ne po përgatisim edhe marrëveshje shumë të rëndësishme ndërshtetërore me tre shtete anëtare të BE-së, të cilat do të na mundësojnë të bëjmë investime të mëdha, të ndërtojmë infrastrukturë dhe shumë projekte të tjera që mund të mos kenë qenë në fokus deri më tani”, tha kryeministri Milojko Spajiç.

“Mendoj se zhvillimi ekonomik i Malit të Zi është padyshim në interes të Bashkimit Europian. Ne jemi të interesuar gjithashtu edhe në diversifikimin e portofolit ekonomik. Sigurisht, Ajo që është e rëndësishme është që të respektohen të gjitha ligjet dhe detyrimet e ndërmarra nga Mali i Zi dhe që kompanitë europiane të kenë të njëjtat të drejta kur bëhet fjalë për investimet në Mal të Zi. Kjo sepse kompanitë europiane janë vertetë të interesuara për të investuar në përgjithësi në Mal të Zi”, tha Kaja Kallas. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos