Serbia kërkon që Maqedonia e Veriut të ekstradojë veteranin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Blerim Ramadani. Ish-luftëtari u ndalua disa ditë më parë në pikën kufitare të Jazhnicës nga një urdhërarrest të lëshuar nga Beogradi.
Ministri i brendshëm serb, Ivica Daçiç, vizitoi pikën e kalimit kufitar Tabanoc, ku takoi homologun maqedonas, Pançe Toshkovski, duke konfirmuar se gjithçka mbetet në duart e institucioneve zyrtare të Shkupit.
“Ne kemi listën e shumë njerëzve që kanë marrë pjesë në krime gjatë kohës së luftës, i kemi proceduar dhe lëshuar urdhër-arreste. Përmes tyre, disa prej tyre janë arrestuar. Ne presim që të merret një vendim për ekstradim, por kjo është çështje e brendshme e Maqedonisë së Veriut.”
Me kërkesë të Prokurorisë maqedonase, veteranit të UÇK-së Blerim Ramadani i është caktuar masa e paraburgimit ekstradues 30-ditor. Qeveria e Kosovës dhe ambasadori i saj në Shkup kanë njoftuar se po bëjnë gjithçka të mundur për lirimin e ish luftëtarit.
Ndërkohë, Daçiç ka dhënë një përgjigje dhe për akuzat e lëshuara nga qeveria dhe inteligjenca e Kosovës, se Milan Radoiçiç dhe terroristët e tij, po planifikojnë sulme të reja në veri. Ai foli edhe për mundësinë e ekstradimit të tij për sulmin e Banjskës.
“Serbia nuk e njeh Kosovën si shtet i pavarur dhe kjo absolutisht nuk mund të ndodhë. Ne nuk kemi direkt bashkëpunim me përfaqësuesit e tyre. Ne të gjitha bashkëpunimet i kemi me EULEX dhe shkëmbejmë informacione në lidhje me këto procese.”
Komuniteti ndërkombëtar, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Europian, kanë bërë thirrje vazhdimisht për dorëzimin e Radoiçiç dhe terroristëve të tjerë në duart të drejtësisë së Kosovës. (A2 Televizion)