Serbia në kërkim të zgjidhjes për pronësinë ruse të NIS-it

Nga A2 CNN
18 Nëntor 2025, 16:22 | Ballkani

Serbia në kërkim të zgjidhjes për pronësinë ruse

Autoritetet serbe thonë se Industria e Naftës e Serbisë (NIS) dhe rafineria e saj duhet të vazhdojnë punën, ndërsa afrohet afati i fundit - i vendosur nga SHBA-ja - për largimin e pronësisë ruse nga kompania.

NIS-i është nën sanksionet amerikane për shkak se shumica e pronësisë së tij kontrollohet nga Rusia.

Me sanksione, Uashingtoni synon të pamundësojë financimin e pushtimit që Moska ka nisur ndaj Ukrainës qysh në shkurt të vitit 2022.

Një ndër opsionet e mundshme është nacionalizimi i kompanisë, por që Qeveria serbe po përpiqet ta shmangë “me çdo kusht”.

Konsulenti ekonomik, Bogdan Petroviç, thotë se, aktualisht, nuk ka bazë ligjore për nacionalizimin e NIS-it.

“Sigurisht, Kuvendi mund të miratojë një ligj për nacionalizim brenda tri ose katër ditësh”, thotë ai, por shton se një veprim i tillë do të ishte “shumë i vështirë dhe i rrezikshëm” dhe do të mund ta çonte Serbinë në arbitrazh ndërkombëtar.

Sanksionet amerikane, ndërkohë, kanë bllokuar furnizimin e NIS-it me naftë të papërpunuar, duke vënë në rrezik edhe funksionimin e Rafinerisë së Pançevës.

Sipas llogarive të autoriteteve, me ndihmën e rezervave shtetërore, rafineria do të ketë naftë për përpunim vetëm deri më 25 nëntor.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i cili për muaj të tërë e ka hedhur poshtë mundësinë e nacionalizimit, duke thënë se Serbia nuk do të sekuestrojë pronën e të tjerëve, tani nuk e përjashton këtë mundësi.

“Dua të shmang nacionalizimin dhe konfiskimin me çdo kusht, sepse kjo nuk është pronësia jonë shumicë. Fillimisht, dua t’i shteroj të gjitha mundësitë”, tha Vuçiq në një seancë të jashtëzakonshme qeveritare, më 16 nëntor.

Serbia, përveç Bjellorusisë, është i vetmi vend në Evropë që nuk u është bashkuar sanksioneve të Bashkimit Evropian ndaj Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës fqinje.

Zyrtarët serbë thonë se u është dhënë drita jeshile për të nisur negociatat për çështjen e pronësisë, dhe kjo leje vlen deri më 13 shkurt.

Konsulenti ekonomik, Bogdan Petroviç, thekson se nacionalizimi nuk nënkupton marrje të pronës pa kompensim.

“Opsioni për ta konfiskuar pa asnjë shpërblim, nuk ekziston”, thotë ai.

Ministria e Energjisë e Serbisë nuk iu përgjigj pyetjes së Radios Evropa e Lirë se si do të realizohej nacionalizimi i mundshëm i NIS-it.

“Kur shteti e nacionalizon, ai merr përsipër të drejtat e pronësisë dhe të menaxhimit, ndërsa kush do të emërohet për menaxhimin e NIS-it, është çështje më vete”, thotë Petroviç.

Shtetet e Bashkuara, sipas zyrtarëve serbë, duan tërheqjen e plotë të pronësisë ruse nga NIS-i.

Struktura e pronësisë së kompanisë ka ndryshuar disa herë, por shumica e aksioneve vazhdon të jetë në duart e kompanive ruse, ndërsa Serbia zotëron 29.87 për qind të tyre.

Gaspromnjeft, pronari kryesor rus i NIS-it, deri në publikimin e këtij artikulli nuk iu përgjigj pyetjes së Radios Evropa e Lirë nëse është i gatshëm ta shesë pjesën e vet, apo si do të reagonte në rast të nacionalizimit.

Çfarë u tha deri tani?

Ministri i Financave i Serbisë, Sinisha Malli, tha në mbledhjen e jashtëzakonshme të Qeverisë serbe për NIS-in më 16 nëntor se ka ardhur koha që Serbia të mendojë për veten.

Ai tha se Serbia ka treguar mjaftueshëm mirëkuptim ndaj “miqve rusë”, por se Rusia nuk ka ofruar bashkëpunim për të gjetur një zgjidhje të përbashkët.

“E di që është një vendim i vështirë, por nuk ka alternativë tjetër. Duhet të sigurojmë para. Nëse pala e tretë nuk e pranon këtë, ne duhet të ofrojmë një çmim më të lartë”, tha Malli.

Vuçiç u përgjigj duke thënë se e kupton nervozizmin e Mallit, por i kërkoi që “të mos e shprehë atë”.

Ai tha se Serbia do të presë rezultatin e bisedimeve të Rusisë me partnerët aziatikë dhe evropianë për shitjen e aksioneve të NIS-it dhe, nëse ato dështojnë, Serbia do të ofrojë një çmim më të lartë.

“Edhe nëse duhet të paguajmë më shumë... por nuk dua t’i marrim askujt asgjë me zor”, tha presidenti serb.

Sipas Marrëveshjes së vitit 1996 ndërmjet Qeverisë së Republikës Federale të Jugosllavisë dhe asaj të Rusisë për nxitjen dhe mbrojtjen e ndërsjellë të investimeve, masat si nacionalizimi nuk mund të zbatohen, përveç në raste të interesit të përgjithshëm dhe vetëm me kompensim të shpejtë dhe adekuat.

Çfarë bëri Bullgaria me Lukoil-in?

Bullgaria është në një situatë të ngjashme me kompaninë private ruse të naftës Lukoil, ndaj së cilës Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione.

Parlamenti bullgar miratoi ndryshimet legjislative në fillim të nëntorit, që e vendosin rafinerinë e madhe të Lukoil-it në lindje të vendit nën kontrollin e shtetit.

Në Bullgari, Lukoil ka në pronësi uzinën Neftohim që nga viti 1999.

Ajo është rafineria më e madhe e naftës në Ballkan dhe gjendet në qytetin Burgas në Detin e Zi.

Në tetor, Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj dy prodhuesve më të mëdhenj të naftës në Rusi - Rosneft-it shtetëror dhe Lukoil-it privat - në përpjekje për të ushtruar presion mbi presidentin rus, Vladimir Putin, që t’i pranojë negociatat për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Rezolutat legjislative të Parlamentit bullgar i japin administratorit të veçantë, të emëruar nga shteti, kompetenca të gjera, përfshirë të drejtën për të shitur pasurinë e kompanive, dhe veprimet e tij nuk mund të shqyrtohen nga gjykata.

Zyrtarët në Serbi thonë se duhet të gjendet një zgjidhje brenda shtatë ditësh, në mënyrë që NIS-i të mund të funksionojë.

I pyetur nëse ky është një afat real, Petroviç thotë se është e pamundur të zgjidhet brenda shtatë ditësh, por se është e mundur t’i paraqitet palës amerikane rruga që do të ndiqet.

Zyra e Kontrollit të Aseteve të Huaja e Departamentit të Thesarit të SHBA-së (OFAC) nuk iu përgjigj pyetjes së Radios Evropa e Lirë se cili opsion për daljen e pronësisë ruse nga NIS-i do të ishte i pranueshëm për të.

Zyrtarët e Serbisë kanë deklaruar më 15 nëntor se SHBA-ja ka miratuar nisjen e negociatave për pronësinë e NIS-it, por jo që NIS-i dhe rafineria të vazhdojnë të funksionojnë./ REL (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos