Aleksandar Vuçiç po e hedh Serbinë në krahët e Pekinit. Duket se plani kryesor është armatosja e Serbisë. Në një reagim për mediat pas vizitës në Kinë, Aleksandar Vuçiç, tha se pjesëmarrjen e tij në paradën ushtarake në Pekin e shfrytëzoi për të parë se “çfarë do të ishte me interes për t’u blerë për nevojat e ushtrisë serbe, në mënyrë që ajo të jetë një faktor parandalues ndaj çdo agresori të mundshëm nga fqinjësia”.
Vuçiç nuk la pa përmendur edhe paktin mes Tiranës, Prishtinës dhe Zagrebit në fushën e mbrojtjes, shkruan A2.
“Nuk është rastësi që Prishtina, Zagrebi dhe Tirana formuan një aleancë ushtarake. Dhe, ata nuk e bënë atë për shkak të Austrisë, Hungarisë apo Sllovenisë, por për shkak të Serbisë. Ata e bënë kundër Serbisë”, tha Vuçiç.
Vuçiç theksoi se Serbia “nuk do ta prekë askënd”, por po e forcon ushtrinë e saj për ta “ruajtur integritetin territorial”.
Duke folur për paradën ushtarake të ushtrisë kineze dhe blerjen e mundshme të armatimeve nga ajo, Vuçiç tha se Serbia nuk është e interesuar për raketat balistike dhe hipersonike kineze, por se Kina ka avionë shumëfunksionalë të nivelit të lartë dhe helikopterë modernë. Lideri serb u tha gazetarëve në Pekin se pati takime me përfaqësues të 11 kompanive, me të cilët bisedoi edhe për prezantimin dhe përdorimin e makinave fluturuese në Serbi.
Duke komentuar bisedimet me përfaqësuesit e kompanisë kineze Zijin, ai tha se Serbia është e interesuar për blerje të mëtejshme të arit nga kjo kompani, e cila është pronare shumicë e Kompleksit Minierë-Trajtim Metalurgjik Bor. (A2 Televizion)