“Duam stabilitet në Ballkan”, ambasadori amerikan në NATO apelon kundër ndarjes së Bosnjës

Nga A2 CNN
2 Shtator 2025, 19:47 | Ballkani

“Duam stabilitet në Ballkan”, ambasadori amerikan në NATO

Ambasadori amerikan në NATO, Matthew G. Whitaker, ka bërë me dije se Shtetet e Bashkuara të Amerikës po ndjekin nga afër situatën në Serbi dhe në entitetin Republika Sërpska të Bosnje e Hercegovinës, me synimin që të mos lejohet asnjë zhvillim që mund të çojë në konflikt rajonal.

“Po ndjekim me shumë kujdes gjithçka që po ndodh si në Republikën Sërpska, ashtu edhe në Serbi. Aktualisht, jemi të përqendruar që situata të mos shndërrohet në një konflikt të mundshëm rajonal”, tha Whitaker, në një nga panelet e Forumit Strategjik të Bledit, shkruan A2.

Ai theksoi se SHBA-ja “do stabilitet në Ballkanin Perëndimor” dhe kjo, siç tha, është e rëndësishme edhe për partnerët evropianë brenda NATO-s, të cilët “e kanë detyrim të veprojnë së bashku në situata krize”.

I pyetur nëse NATO-ja do të ndërhynte, nëse kriza politike do të përshkallëzohej në një konflikt të armatosur, sidomos në Bosnje dhe Hercegovinë, por edhe në Serbi, Whitaker tha se NATO-ja vepron me unanimitet, por shtoi se “jemi shumë larg diçkaje të tillë”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos