Grumbullimi i forcave të ushtrisë serbe në afërsi të kufirit me Kosovën nuk ndihmon në qetësimin e situatës së tensionuar mes dy vendeve. Ky ishte mesazhi që përcolli në Beograd Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
Gjatë një konference të përbashkët për shtyp me Presidentin Aleksandër Vucic, shefi i Aleancës ushtarake perëndimore, i bëri thirrje palëve të përmbahen nga veprimet përshkallëzuese, ndërsa shprehu mbështetjen për propozimin e BE për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Siç i thashë edhe Presidentit Vuçiç gjatë takimit, grumbullimi i ushtrisë serbe pranë kufirit administrativ me Kosovën nuk ndihmon situatën. NATO mirëpret dhe mbështet formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Ky do të ishte çelësi i normalizimit të marrëdhënieve. U bëj thirrje Beogradit dhe Prishtinës që të angazhohen në dialog nën kujdesin e BE-së, kjo është e vetmja rrugë drejt paqes dhe stabilitetit të përhershëm”, tha Stoltenberg.
Vucic nuk hezitoi të replikonte me Stoltenberg lidhur me komentet për ushtrinë duke thënë se ishte punë e Serbisë se ku i pozicionon trupat.
“Ushtria kurrë nuk i ka tejkaluar të drejtat dhe kompetencat e saj. E, ku dhe si do ta vendosim ushtrinë në përputhje me Kushtetutën e Serbisë, pa rrezikuar askënd, kjo është punë e jona.”, tha Vuçiç.
Stoltenberg përsëriti edhe në Beograd, deklaratën e bërë një ditë më herët në Prishtine, se autorët e sulmeve në Banjskë duhet të mbajnë përgjegjësi.
Vuçiç u përgjigj se, kur është fjalë për hetimet ndaj sulmit të 24 shtatorit ka pikëpamje tjetër mbi atë që ka ndodhur po se i kupton kërkesat e NATO-s dhe perëndimit.
Përballë garancisë së Sekretarit të Përgjithshëm se NATO do të sigurojë paqen për të gjithë në Kosovë, Vuçiç theksoi se vetëm serbët janë të rrezikuar atje. (A2 Televizion)