Taravari jep dorëheqjen nga posti i ministrit të Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut

Nga A2 CNN
15 Maj 2025, 23:17 | Ballkani

Taravari jep dorëheqjen nga posti i ministrit të

Arben Taravari zyrtarisht ka dhënë dorëheqje nga posti i ministrit të Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut, dhe ia ka dorëzuar atë te kryeministri Hristijan Mickoski të enjten.

”Përgjegjësinë që e mora me këtë detyrë, e kam ushtruar me përkushtim maksimal, transparencë dhe ndjenjë përgjegjësie ndaj qytetarëve dhe shtetit. Vendimin e kam marrë pas një vlerësimi të kujdesshëm, personal dhe profesional, duke besuar se ky hap është në interesin më të mirë si për institucionin, ashtu edhe për parimet e mia personale“, shkruan Taravari në letrën e dorëheqjes, përcjell A2.

Ai shtoi se mbetet i hapur për bashkëpunim në çështjet që kanë të bëjnë me interesin publik, edhe pse ky veprim praktikisht nënkupton se ai dhe partia e tij, Aleanca për Shqiptarët, kalojnë në opozitë.

Me largimin nga koalicioni VLEN, i cili është pjesë e Qeverisë, të gjitha funksionet e tjera ku ishin emëruar përfaqësues të Aleancës për Shqiptarët do të mbesin brenda VLEN-it, deklaroi sot zëvendëskryeministri Izet Mexhiti.

”Nuk kemi ardhur ende te emrat konkretë, por ajo që është e rëndësishme është se të gjitha resorët që i kishte Aleanca për Shqiptarët do të mbesin në kuadër të VLEN-it. Fakti që ai vetë njofton për dorëheqje, por jo edhe për funksionarët e tjerë, tregon dhe dëshmon se ka marrë një vendim që nuk korrespondon me anëtarësinë dhe strukturat e partisë. Ka ndasi të dukshme dhe ato i shohim tashmë çdo ditë“, deklaroi Izet Mexhiti.

Aleanca për Shqiptarët ka 5 deputetë nga gjithsej 14 sa ka koalicioni VLEN, por për momentin nuk dihet nëse ndonjëri prej tyre do të kalojë te tre partitë tjera të këtij koalicioni të partive shqiptare që është pjesë e pushtetit, apo do t’i bashkohet Taravarit në opozitë.

Në Kuvend është formuar të enjten një grup i ri parlamentar i VLEN-it me 9 deputetë, dhe deputeti Bekim Qoku është emëruar koordinator i ri i këtij grupi, njoftoi kabineti i kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi.

Kryeministri Hristijan Mickoski nuk deshi të tregojë nëse të gjithë funksionarët e Taravarit do të largohen apo ndonjëri do të mbetet në pushtet, as nuk tregoi nëse resorët që i kishte Aleanca për Shqiptarët do të mbesin në VLEN.

Ai tha se të gjitha zgjidhjet kadrovike që i përkisnin partisë së Taravarit do të bëhen të ditura javën e ardhshme.

Mospajtimet në koalicionin VLEN kanë filluar më shumë se një muaj më parë, kur Aleanca për Shqiptarët e udhëhequr nga Taravari vendosi të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme lokale me listat e veta për këshilltarë.

Pas këtij vendimi, partitë partnere në koalicionin VLEN e akuzuan për bashkëpunim me opozitën, konkretisht me BDI-në, dhe vendosën që koalicioni të shndërrohet në parti – por pa Aleancën.

Vendimin për t’u larguar nga Qeveria, Taravari e shpjegoi me arsyetimin se: "Ndryshimet që i kemi premtuar nuk i kemi realizuar, për çka qytetarët na kritikojnë. Prandaj vendosëm të kthehemi te qytetari. Të kërkojmë prej tij besimin në tetor, për zgjedhjet lokale“.

Taravari kishte edhe një takim me kryeministrin Mickoski, pas së cilit kryeministri deklaroi se, me ose pa Taravarin në Qeveri, ajo mbetet stabile, e fortë dhe me shumicë të madhe./ REL (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos