Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i është drejtuar kombit përmes një fjalimi të gjatë e të ashpër ku ka komentuar situatën e rënduar të sigurisë në vend pas një vale trazirash dhe dhune në disa qytete, përfshirë Valjevon, Beogradin dhe Novi Sadin.
Në një mesazh dramatik, ai ka paralajmëruar "vendime të papritura" nga shteti në ditët në vijim, duke theksuar se Serbia do të përballet vendosmërisht me çdo formë të dhunës dhe terrorizmit.
“Ngjarjet në Valjevo ishin të tmerrshme, pak më pak në Beograd, dhe po aq të rënda në Novi Sad. Duhet të themi të vërtetën nuk ishte protestë, ishte sulm i organizuar. Në ditët në vijim do të shihni një reagim shtetëror ndryshe nga çdo herë tjetër. Ne nuk do të lejojmë më që bandat të sundojnë rrugët”, tha Vuçiç.
Sipas Vuçiçit, brenda 10 ditëve do të arrestohen të gjithë personat që kanë marrë pjesë në veprimet e dhunshme. Ai theksoi se autoritetet janë duke analizuar pamjet filmike dhe po identifikojnë individët përgjegjës.
“Një pjesë e mirë e atyre më agresivëve do të kapen dhe do të përgjigjen. Ne do të rikthejmë rendin në çdo mënyrë.”
Këtë deklaratë e pasoi një paralajmërim i fortë për një akt të mundshëm ekstrem nga ana e protestuesve.
“Pyetja ime për të gjithë është: Kë do të djegin sonte? Dhe paralajmërimi im për njerëzit është se është çështje ditësh para se të vrasin dikë. Nuk po e ekzagjeroj! Të gjitha veprimet e tjera janë kryer, e vetmja gjë që u ka mbetur është vrasja. Dhe pastaj do të thonë: qytetarët e revoltuar e bënë këtë në mënyrë paqësore”, deklaroi ai.
Presidenti nuk kurseu as kritika ndaj drejtësisë dhe mediave opozitare në Serbi.
“Prokurorët sillen sikur nuk e njohin ligjin. Po e lexoj nenin 331 të Kodit Penal – ky është terrorizëm i pastër! Nuk mund të bëjmë sikur s’po ndodh asgjë”, nënvizoi Vuçiç.
Dalja e Vuçiç para mediave erdhi pasi gjatë ditëve të fundit, disa qytete serbe janë përballur me trazira të rënda, të shoqëruara me zjarrvënie, sulme ndaj objekteve publike dhe përplasje me forcat e sigurisë dhe mbështetësit e partisë së Presidentit, SNS.
Sipas Vuçiç, aktet e dhunës i kanë kaluar përmasat e një proteste dhe ai i cilëson si "akte terroriste", që sipas tij, kanë për qëllim destabilizimin e vendit. Presidenti akuzon "elementë të organizuar" dhe "mbështetje të huaj" për përkeqësimin e situatës, ndërkohë që thekson se ata që e shmangin dialogun me institucionet vendase dhe bashkëpunojnë me qarqe të jashtme, synojnë "përmbysjen e Serbisë". (A2 Televizion)