Serbia po përjeton një valë protestash të paprecedenta në qytetet kryesore të vendit, të cilat janë shoqëruar me përplasje të dhunshme mes protestuesve dhe mbështetësve të Partisë Progresive Serbe (SNS), që drejtohet nga presidenti Aleksandër Vuçiç.
Protestat, të organizuara nga lëvizja "Studentët në Bllokim", janë përshkallëzuar sonte në Beograd, Novi Sad, Nish, Kragujevc, Suboticë, Shabac e Leskovc.
Tubimet nisën si reagim ndaj dhunës së përsëritur ndaj qytetarëve dhe akuzave ndaj qeverisë se po mbron huliganët në vend që të garantojë sigurinë publike.
Protestuesit janë mbledhur para zyrave të SNS-së dhe stacioneve policore, duke kërkuar drejtësi dhe llogaridhënie. Në Novi Sad, situata doli jashtë kontrollit kur turma e protestuesve marshoi nga kampusi studentor drejt zyrave të SNS-së në Bulevardin e Çlirimit.
Sipas raportimeve nga mediat serbe në rrugën Stražilovska, persona të maskuar, të dyshuar si mbështetës të SNS-së, hodhën fishekzjarre dhe mjete piroteknike drejt protestuesve. Përplasja u ashpërsua kur qytetarët reaguan duke thyer dritaret e zyrave të partisë. Policia speciale ndërhyri me kordone sigurie, por tensionet vetëm u rritën.
Edhe në Beograd, protestuesit u mblodhën në lagjen Vraçar, ku u përballën me një prani të madhe policore para komitetit lokal të SNS. Incidenti më i rëndë u regjistrua kur një efektiv policie u filmua duke goditur me shuplakë një protestues, skenë që shkaktoi reagime të ashpra nga turma, e cila brohoriti: "Kë po mbroni?".
Ćaćilend, zabranjeni grad! pic.twitter.com/toVdYBpxQ1
— Joker (@beogradforever) August 13, 2025
Kolona u zhvendos më pas drejt Parkut Pionirski, të quajtur ndryshe 'Ćaciland', një vend simbolik për përkrahësit e presidentit Aleksandar Vuçiç, ku ndodhej edhe vëllai i tij, Andrej Vuçiç, i shoqëruar nga grupe të organizuara të mbështetësve të SNS-së. Tensionet atje bënë që turma e protestuesve të kthehej në drejtim të sheshit Slavia.
Në një deklaratë të dhënë pak para orës 22:00, Vuçiç reagoi për situatën duke thënë se “Serbia është ngritur si kurrë më parë”.
“Më shumë se kurrë, duhet të dëgjojmë dhe të kuptojmë njëri-tjetrin dhe të mos urrejmë askënd. Kam ardhur për t’u bashkuar me një popull që nuk sulmon askënd”, u shpreh ai.
View this post on Instagram
Sakaq, drejtori i Policisë Serbe, Dragan Vasiljeviç, konfirmoi për mediat se “u parandaluan konflikte të mëdha” në disa qytete. Ai deklaroi se ka të plagosur si mes qytetarëve, ashtu edhe në radhët e policisë, ndërsa disa persona janë arrestuar.
“Ne nuk po mbronim një grup, por rendin dhe paqen publike”, theksoi ai. (A2 Televizion)