Vuçiç flet për ushtri “të pakrahasueshme”: S’na sulmojnë dot më, si do justifikohet perëndimi para Rusisë?

Nga Rosalba Bejdo
23 Qershor 2025, 20:17 | Ballkani

Zhvillimet në botë kanë alarmuar Aleksander Vuçiç, i cili prej ditësh ka në fokus të daljeve publike vetëm fuqizimin e ushtrisë dhe armatimet. Pasi mori pjesë në një seancë të kolegjimit të zgjeruar të shefit të shtabit të përgjithshëm të Forcave të Armatosura Serbe, Vuçiç foli sërish për nevojën e rritjes së nivelit të aftësive mbrojtëse. Ndërsa njoftoi ndryshim të doktrinës së ushtrisë, Vuçiç theksoi se ushtria duhet tëjetë pakrahasueshmërisht e fortë.

Presidenti serb i mbështet shqetësimet te përshkallëzimi i tensioneve në botë, veçanërisht sulmi i  Shteteve të Bashkuara ndaj Iranit.

Ai ngriti pyetjen se si do të mundej tani perëndimi të akuzonte Rusinë për shkelje të integritetit territorial. 

“Kemi një situatë në botë ku ligji dhe drejtësia kanë pushuar së ekzistuari prej kohësh. Si do të flisni ju të Perëndimit tani me Rusinë, pas sulmit të ri të Amerikës ndaj Iranit, për shkelje të integritetit territorial. Të qenit një shtet anëtar i OKB-së nuk do të thotë më asgjë, falë sjelljes së fuqive të mëdha", të cilat e shkelin brutalisht sa herë që u vjen ndërmend. Duhet të mësohemi me këtë dhe të rrisim nivelin e aftësive tona mbrojtëse".

Vuçiç shtoi më tej se nëse vendi do të sulmohej si në vitin 1999 ai do të shpaloste një rezistencë të pakrahasueshme, më të fortë se atëherë. Me qëllimin për të projektuar fuqi ushtarake tek vendet e rajonit dhe botës, Vuçiç ripërsëriti se në paradën që pritet të zhvillohet në shtator të gjithë do të mund të shohin se çfarë është blerë e prodhuar, teksa me herët ka thënë se janë armatosur në fshehtësi duke e bërë të pathyeshme ushtrinë. Sipas tij, kjo do të jetë parada më e madhe deri më sot, me të paktën 10,000 ushtarë.

Vuçiç deklaroi gjithashtu se Serbia ka pezulluar plotësisht eksportin e municioneve të cilat siç tha, tani do të shkojnë vetëm në kazermat dhe depot e vendit. Sipas presidentit serb, shërbimi I rregullt ushtarak do te rikthehet. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos