Qytete të ndryshme të Serbisë po kthehen kundër presidentit, Aleksandër Vuçiç. Madje po ndërmarrin vendime që e turpërojnë atë.
Dhjetë vjet pasi presidenti serb mori titullin qytetar nderi i Novi Pazarit, banorët e atij qyteti vendosën njëzëri t’i kërkojnë kuvendit komunal me një letër zyrtarë që t’ia heqë atë titull Vuçiçit.
Një kërkesë e ngjashme është bërë edhe nga opozita në Leskovc, duke argumentuar se aktualisht presidenti është më afër titullit person non grata.
Një ndëshkim të tillë e kanë vënë në zbatim qytetarët nga Piroti, afër kufirit të Serbisë me Bullgarinë dhe Kosovën, duke e konsideruar Aleksandër Vuçiçin, një person të padëshiruar në qytetin e tyre.
Edhe disa protestues në Çaçak e shpallën presidentin dhe kryeparlamentaren serbe si persona non grata, sepse siç u tha, janë njerëz që përhapin urrejtje dhe përçajnë popullin.
Analistët e pyetur nga media Nova theksojnë se ky është një tregues i qartë se Vuçiç është aktualisht në rënie të lirë si figurë politike.
Më herët, televizioni N1, partner i CNN në Serbi, në një analizë theksoi se Vuçiç po vepron tashmë si diktatori Sllobodan Millosheviç, që iu kthye popullit dhe veprimeve destabilizuese në rajon përpara se të rrëzohej nga pushteti.
Si për të konfirmuar këtë, vetë presidenti ka lëshuar një kërcënim të drejtëpërdrejtë për ata që i konsideron kundërshtarë.
“Kam frikë se diçka e keqe ka filluar të shfaqet tek unë, në kokën time, dhe ajo është se si t’ua kthej gjithë atyre që më kanë bërë kaq shumë dëm mua, familjes, fëmijëve të mi dhe të gjithëve”, ishte kërcënimi i Vuçiçit. (A2 Televizion)