Vuçiq bisedon me Maduron për përmirësimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Venezuelës

Nga A2 CNN
22 Gusht 2025, 07:06 | Ballkani

Vuçiq bisedon me Maduron për përmirësimin e

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, njoftoi të enjten e ka zhvilluar një bisedë “të mirë dhe përmbajtësore” përmes telefonit me presidentin e Venezuelës, Nikolas Maduro, lidhur me përmirësimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Në një postim në llogarinë e tij në Instagram, Vuçiq e quajti Maduron “mik të madh” të Serbisë dhe e falënderoi për qëndrimin e tij karshi Kosovës.

“Serbia e vlerëson shumë mbështetjen parimore dhe të qëndrueshme të Venezuelës sa i përket ruajtjes së integritetit tonë territorial dhe mosnjohjes së shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës”, theksoi Vuçiq.

Zyrtarët serbë mbajnë lidhje të ngushta me Maduron, të cilin Bashkimi Evropian e sheh si president me mungesë legjitimiteti të një presidenti të zgjedhur në mënyrë demokratike, për shkak të parregullsive zgjedhore.

Në inaugurimin e Madurit për president, në janar, mori pjesë kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Bërnabiq, gjë që u pasua me kritika nga Brukseli.

Regjimi venezuelas është nën sanksione nga Bashkimi Evropian, në të cilin synon të anëtarësohet Serbia, si dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar dhe Kanadaja, të cilat u ashpërsuan më 10 janar.

Vuçiq bisedoi me Maduron pasi më herët gjatë ditës, pas takimit me ambasadorin e Rusisë në Beograd, Aleksandar Bocan-Harçenko, kishte paralajmëruar një takim në nivel të lartë mes udhëheqësve të Serbisë dhe Rusisë, i cili pritet të zhvillohet “në një periudhë shumë të afërt”.

Zyrtarët e Serbisë refuzojnë të vendosin sanksione ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të saj në Ukrainë, pavarësisht thirrjeve dhe kritikave që vijnë si nga Brukseli, ashtu edhe nga Uashingtoni. REL (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos