I nxehti ekstrem po djeg edhe shtetin tonë fqinj, Greqinë. Mediat greke raportojnë se zjarre të shumtë që kanë shpërthyer në të katër anët e vendit. Sipas tyre situata më problematike është në Kefalonia, Zakynthos, Fokida dhe Vonitsa.
Autoritetet kanë dërguar SMS në telefonat e banorëve të këtyre zonave, duke i vënë në dijeni për situatën e rrezikshme dhe u kërkojnë të evakuohen.
Forca të shumta zjarrfikësish po operojnë në vendngjarje, ndërsa avionë dhe helikopterë po hedhin ujë nga ajri për të neutralizuar zjarret.
Përpjekjet janë përqendruar në mbajtjen nën kontroll të zjarrit në mënyrë që të mos përhapet në zona banimi ose të paarritshme, ndërsa flakët po favorizohen edhe nga era e fortë.
Emergjencat Civile në Greqi kanë paralajmëruar për rrezik shumë të lartë edhe gjatë ditës së sotme, për shkak të temperaturave ekstreme që shkojnë mbi 40 gradë Celsius. (A2 Televizion)