Muzeu i Shkollës së parë shqipe, ishte ndalesa e radhës e një grupi vizitorësh nga koalicioni Besëlidhja Shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Nënkryetari, Arben Taravari, në përfundim të vizitës, i pyetur nga gazetarët shprehu problematikat e gjuhës shqipe, si gjuhë zyrtare në vendin e tij.
"Për informacion, në Shqipëri prej vitit 1974, gjuha shqipe ka qenë gjuhë zyrtare në Republikën e Maqedonisë Socialiste të atëhershme. Pas pavarësimit të Maqedonisë në vitin 1991, gjuha shqipe është përdorur, por nuk ka qenë zyrtare apo gjuhë e barabartë me maqedonishten”, tha Arben Taravari, nënkryetar i koalicionit “Besëlidhja Shqiptare”.
Në bazë të Marrëveshjes së Ohrit të vitit 2001, pati disa ndryshime për përdorimin e gjuhës shqipe. Kështu, në territoret ku shqiptarët përbëjnë mbi 20% të popullsisë, gjuha shqipe përdoret si gjuhë zyrtare.
Ndryshimi i fundit ka qenë në vitin 2017, ku u vendos përdorimi më i gjerë i gjuhës shqipe, por fatkeqësisht zbatimi në praktikë nuk është në nivelin e duhur.
Taravari thotë se gjuha shqipe sot nuk është e barabartë me gjuhën maqedonase dhe se duhet të veprohet njësoj sikurse në kohën e Jugosllavisë.
“Praktikisht, duhet të kthehemi te ajo që ishte në kohën e Jugosllavisë apo në kohën e socializmit në Maqedoni, ku gjuha zyrtare në Maqedoni ishte edhe gjuha shqipe, krahas gjuhës maqedonase. Në fakt, këto janë gjuhët e dy etnive që përbëjnë rreth 90% të popullsisë së Maqedonisë”, tha Taravari.
Ligjet për shqipen ekzistojnë, thekson ai, por nuk zbatohen dhe kjo ndikon drejtpërdrejt në stabilitetin e vendit
Absolutisht, çështja e përdorimit të gjuhës shqipe lidhet edhe me stabilitetin e Maqedonisë. Dua të theksoj se në Maqedoni kemi ligje shumë të mira, por kemi moszbatim të tyre. Ligjet në letër ekzistojnë dhe janë shumë të avancuara, por kur vjen puna te institucionet, sidomos kur ka të bëjë me shqiptarët, këto ligje shpesh anashkalohen.
Kjo ndodh pavarësisht se kush është drejtues – maqedonas, drejtor, ministër, zëvendësministër apo përgjegjës i një institucioni. Ky nuk është një standard i rregullt.
Ekziston madje edhe një agjenci speciale që merret me përdorimin e gjuhës shqipe, dhe institucionet që nuk e zbatojnë duhet të ndëshkohen. Por, fatkeqësisht, kjo agjenci nuk funksionon siç duhet."
Aktualisht, në gjykatën kushtetuese në Maqedoninë e Veriut është një nismë për shqipen që po shqyrtohet prej 3 vitesh tashmë. Tarvari shpreson në një vendim racional, duke e parë barazinë gjuhësore si garanci për harmoninë etnike. (A2 Televizion)