“Vdekje diktatorit, rroftë Shahu!” Përhapen protestat në Iran, autoritetet ndërpresin internetin

Nga Rosalba Bejdo
9 Janar 2026, 11:02 | Bota

Turma të mëdha protestuesish marshuan përmes Teheranit dhe qyteteve të tjera iraniane, në atë që duket të jetë një prej shfaqjeve më të mëdha të forcës nga kundërshtarët e regjimit të ajatollahëve në vite. Video të shpërndara në rrjete sociale tregojnë demonstratat në Teheran dhe në qytetin verilindor të Mashhadit, mbrëmjen e së enjtes, ku pati edhe zjarrvënie të disa automjeteve.

Megjithatë, shumica e protestave ishin paqësore, ndërsa autoritetet ndërprenë aksesin në internet dhe linjat telefonike në mbarë vendin, shkruan A2 CNN. Protestuesit dëgjohen teksa kërkojnë të zemëruar rrëzimin e liderit suprem, Ajatollahut Ali Khamenei, dhe rikthimin e Reza Pahlavit, djali në ekzil i ish-shahut, i cili u ka bërë thirrje mbështetësve të dalin në rrugë.

“Rroftë shahu” apo “Kjo është beteja e fundit, Pahlavi rikthehu!” ishin sloganet e manifestuesve. Të tjerë bërtisnin “Vdekje diktatorit” apo “Mos kini frikë, jemi të gjithë së bashku”.

Pahlavi, babai i të cilit u rrëzua nga pushteti gjatë Revolucionit Islamik në vitin 1979 dhe që jeton në Uashington, ka vlerësuar guximin e protestuesve. Ai ka falënderuar presidentin Trump për mbajtjen përgjegjëse të regjimit dhe u ka kërkuar liderëve europianë të bëjnë të njëjtën gjë.

Trazirat, që vijojnë prej 12 ditësh në Iran, janë nxitur nga zemërimi për krizën ekonomike dhe inflacionin, dhe janë përhapur në më shumë se 100 qytete në 31 provinca të Iranit. Agjencia e Lajmeve të Aktivistëve për të Drejtat e Njeriut, me bazë në SHBA, ka bërë të ditur se të paktën 34 protestues, 5 prej të cilëve fëmijë, dhe 8 pjesëtarë të personelit të sigurisë janë vrarë, ndërsa gati 2 300 persona janë arrestuar. Sipas një grupi monitorues për të drejtat humanitare në Iran, me bazë në SHBA, viktimat janë 45, mes të cilëve 8 fëmijë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos