98 fëmijë dhe adoleshentë kanë kërkuar ndihmë për shkak të problemeve të shëndetit mendor dhe gjendjes së rënduar psikoemocionale gjatë vitit 2026. Në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Fëmijëve, nga punonjësi social i linjës kombëtare Alo 116, Klaudio Pula, ngriti alarmin në Dita Jonë në A2 CNN për rritjen e raportimeve vetëdëmtuese të fëmijëve krahasuar me 5 vite më parë.
“Shqetësuese për ne si profesionistë, si punonjës social si psikolog është pikërisht shëndeti mendor i fëmijëve dhe numri i lartë i raportimeve nga fëmijët, të rinjtë, adoleshentët që evidentohen nga viti në vit dhe në qoftë se i referohemi vitit 2026 që ende nuk është mbyllur, kemi patur 98 kërkesa për ndihmë dhe e theksoj ndihmë të cilat kanë qenë lidhur me shëndetin mendor dhe gjendjen e rënduar të fëmijëve, të rinjve, adoleshentëve, të cilët e theksoj kanë qenë jo në një gjendje psiko-emocionale që ishte kalimtare, por në një gjendje që realisht kërkonte nevojë për ndërhyrje direkte dhe ballë përballë”, tha Pula në Dita Jonë në A2 CNN.
Pula tha se gjatë këtij viti janë regjistruar edhe 83 raportime për mendime vetëdëmtuese, krahasuar me vetëm dy raste në vitin 2021.
“Kemi raportime pafund që na bëhen pranë Alo 116-s për interesa që do duhet të mbyllen dhe kemi fëmijë të rinj adoleshentë që pikërisht nga ky stresi, nga ky bullizmi, nga këto kërcënimet, shantazhimet online shkojnë në atë gjendjen psikoemocionale të rënduar. Dhe të them të drejtën unë nuk doja që të ndalesha shumë në kjo statistika tjetër, por kemi patur raste të cilat kanë qenë për mendime vetëdëmtuese. Në 2021-in përsa i përket mendimeve dëmtuese të fëmijët kishim vetëm dy. Ndërkohë aktualisht që flasim pa u mbyllur viti i mirë kemi 83 raportime”, theksoi Pula në Dita Jonë në A2 CNN.
Sipas tij, rrjetet sociale, bullizimi, kërcënimet dhe shantazhet online janë ndër faktorët që ndikojnë në rëndimin e gjendjes psikoemocionale të fëmijëve. Pula theksoi se përveç kërcënimeve e shantazheve ka edhe ngacmime seksuale ndaj të miturve.
“Arsyeja kryesore që ne po evidentojmë së fundi është pasiguria në internet, në atë botën digjitale. Doja që dhe të tërhiqja vëmendje sidomos për prindërit që do duhej që të jetë një vigjilencë dhe një vëmendje e shtuar se çfarë ndodh në këto rrjetet sociale. Kemi shumë raportime të cilat kanë të bëjnë me sigurinë në internet. Dhe nuk marr këtu parasysh thjesht atë bullizmin online që është bërë tashmë në shifra tepër të larta dhe ne s'kemi ditë që nuk marrim raportim përsa i përket bullizmit online. Por nëse i referohemi shifrave gjatë vitit 2025 janë raportuar 132 raste të problematikave të sigurisë në internet, ndërsa në vitin 2026 janë regjistruar 66 raste. Bëhet fjalë për kërcënime, shantazhe dhe ngacmime seksuale ndaj të miturve. Janë raste kërcënime, shantazhime, ngacmime seksuale nga grabitqarët seksualë në internet dhe kur them ngacmime seksuale janë nga ata persona që janë të grupmoshës plus 40 vjeç, ndaj fëmijëve të grupmoshës 15, 15, 16 vjeç dhe ju i renditët edhe grupmoshat të cilat kanë qenë më të prekura gjatë këtyre tre viteve të fundit. interneti është sa i mirë aq edhe i rrezikshëm”, tha punonjësi social në Dita Jonë në A2 CNN.
Një tjetër shqetësim madhor mbetet shfrytëzimi ekonomik i fëmijëve në situatë rruge. Sipas Pulës, gjatë 14 viteve të fundit në Alo 116 janë raportuar mbi 1 500 fëmijë të shfrytëzuar për lypje, punë apo forma të tjera përfitimi, shumë prej të cilëve nuk ndjekin arsimin.
“Kemi fëmijë sot që janë jashtë sistemit arsimor dhe nëse i referohemi në këto 14 vitet e fundit të raportimeve që janë bërë pranë Alo 116-s lidhur me shfrytëzimin e fëmijëve për arsye përfitimi, jo në internet, por në rrugë për të punuar, për të lypur, për të kërkuar çfarëdo lloj gjëje mund të mundshme. Kemi mbi 1500 fëmijë të deklaruar që na janë raportuar që janë në situatë rruge dhe nuk e ndjekin shkollën. Sepse të jesh edhe në rrugë dhe në shkollë është pak e vështirë që ta ndjekësh mësimin”.
Ai u bëri thirrje prindërve të kalojnë më shumë kohë me fëmijët, të dëgjojnë shqetësimet e tyre dhe të mos e delegojnë të gjithë përgjegjësinë te shkolla apo institucionet. Sipas tij, mungesa e komunikimit në familje dhe indiferenca e shoqërisë mund t'i lënë fëmijët pa mbështetjen që u nevojitet.
“Unë do doja shumë që të tërhiqja vëmendjen tek prindërit. Shohim dita ditës që fëmijët janë lënë pas dore dhe sot është pikërisht dita e të drejtave të fëmijëve. Ndoshta prindërit nuk kanë kohë, por kjo koha duhet të gjendet. Unë jam shumë dakord që gjendja ekonomike bën të vetën që duhet të bëjmë nga dy-tre punë, por të bësh përgjegjësinë prindërore është një përgjegjësi shumë e madhe. Dhe e theksoj këtë gjë sepse kemi fëmijë të cilët e kanë shkëputur atë komunikimin prind fëmijë. Çdo problematikë që fëmijët mund të kenë nuk janë fëmijët fajtori, apo nuk janë fëmijët gabimi. Është diçka tjetër që ka ndikuar që ky fëmijë të ndodhet në këtë situatë. Edhe për sa i përket ngacmimeve dhe kërcënimeve apo ngacmimeve seksuale online, por dhe offline, nuk janë fëmijët faji. Janë pikërisht ata persona që ndërmarrin këto veprime dhe kanë në mendjen e tyre diçka që nuk duhet ta kenë që është gabimi dhe është faj. Prindërit sot duhet t'i dëgjojnë më së tepërmi fëmijët, duhet të kalojnë më tepër kohë me fëmijët. Duhet që t'i pyesin po çfarë të shqetëson sot dhe si ja kalove sot në shkollë? Jo vetëm në shqetësimet por çfarë bëri një gjë të bukur. Nuk e di se sa kohë kalojnë sot prindërit me fëmijët e tyre më po thjesht edhe për të dalë një xhiro dhe për të dëgjuar fëmijën e tyre”.
Punonjësi social theksoi gjithashtu se bullizmi dhe dhuna në shkolla e komunitet mbeten ndër tre problematikat kryesore të raportuara në linjën kombëtare.
Linja Alo 116 funksionon 24 orë në ditë, shtatë ditë në javë, dhe ofron këshillim nga punonjës socialë dhe psikologë përmes telefonit dhe platformës online të komunikimit. (A2 Televizion)