7 mld $ dëme! Publikohet video, si goditi Ukraina bazat ajrore brenda territorit rus

Nga A2 CNN
3 Qershor 2025, 09:15 | Bota

Ukraina ka ndërmarrë një nga sulmet më të guximshme dhe të suksesshme ndaj forcave ajrore ruse që nga fillimi i luftës. Me një operacion të planifikuar për më shumë se një vit e gjysmë, shërbimi i sigurisë ukrainas (SBU) goditi katër baza ajrore ruse, duke shkaktuar dëme të mëdha në flotën strategjike të aviacionit rus.

Sipas SBU-së, janë goditur 41 avionë, përfshirë bombardues strategjikë Tu-95 dhe Tu-22M3 si dhe një avion zbulues A-50. Eksperti ushtarak Justin Bronk e përshkroi sulmin si një “sukses të jashtëzakonshëm”, që mund të ndikojë ndjeshëm në aftësinë e Rusisë për të kryer sulme të mëdha me raketa kundër qyteteve dhe infrastrukturës ukrainase.

Baza më e largët e goditur ishte Belaya në rajonin Irkutsk, rreth 4500 km nga kufiri me Ukrainën, shkruan A2 CNN. Ukraina përdori dronë të futur fshehurazi në territorin rus dhe të vendosur pranë bazave ajrore, brenda disa kabinave druri të montuara në kamionë. Dronët, të cilët u lëshuan nga afër me ndihmën e komunikimeve celulare ruse, arritën të shmangin mbrojtjen ajrore ruse dhe të shkatërrojnë objektivat.

Pamjet e verifikuara tregojnë dronë që ngrihen nga kamionët dhe sulmojnë bazat ajrore, ndërsa vetë kamionët shpërthejnë më pas për të zhdukur gjurmët. Sipas burimeve ukrainase, operacioni ka shkaktuar rreth 7 miliardë dollarë dëme.

Ky sulm jo vetëm që tronditi ushtrinë ruse, por edhe nxori në pah dobësitë në sistemin e mbrojtjes ajrore ruse dhe efikasitetin e inteligjencës dhe planifikimit strategjik ukrainas. Presidenti Zelensky e cilësoi këtë si një “operacion brilant” që mund të ndryshojë balancën e luftës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos