A do të sulmojë SHBA, Venezuelën? Trump: Fola me Maduron në telefon! Kongresi kërkon llogari për sulmet

Nga Rosalba Bejdo
1 Dhjetor 2025, 14:31 | Bota

A do të sulmojë SHBA, Venezuelën? Trump: Fola me Maduron në

Presidenti amerikan Donald Trump konfirmoi se kishte folur në telefon me homologun Venezuelian, Nikolas Maduro, po nuk dha detaje mbi atë që ishte diskutuar.

Nju Jork Times raportoi fillimisht për një telefonatë mes të dyve më herët gjatë muajit ku ishte diskutuar mbi një takim të mundshëm në Shtetet e Bashkuara. Zbulimi i telefonatës vjen teksa Trump vijon të përdorë retorikë luftarake ndaj Venezuelës, por duke mos ja mbyllur plotësisht derën diplomacisë.

Të shtunën ai njoftoi se hapësira ajrore mbi dhe rreth Venezuelës duhej të konsiderohej plotësisht e mbyllur por nuk tha detaje të mëtejshme, duke shkaktuar ankth dhe konfuzion në Karakas. Kur u pyet nga gazetarët nëse komentet mbi hapësirën ajrore nënkuptonin se sulmet ndaj shtetit të Amerikës Latine ishin të afërta, Trump tha se nuk duhej te kërkonin nënkuptime tek deklarata.

Ndërkohë Maduro u shfaq të dielën në publik pas disa ditësh mungese në një aktivitet me prodhuesit e kafes, duke thënë se Venezuela ishte e pathyeshme, e paprekshme, dhe e pamposhtur, teksa fliste për ekonominë. Prej muajsh administrata Trump po eksploron një sërë opsionesh për të luftuar rolin e Maduros në trafikun e paligjshëm të drogave që po vrasin amerikanet, me mediat që flasin për mundësinë e rrëzimit të Maduros apo sulmeve tokësore.

SHBA ka grumbulluar forca të mëdha ushtarake në Karaibe, dhe ka ndërmarrë sulme mujore kundër anijeve të dyshuara me drogë nga Venezuela, me pasojë vrasjen e të paktën 80 personave.

Debate të nxehta ka nxitur në SHBA, raportimi se sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth kishte urdhëruar një sulm të dytë ndaj një anije venezueliane, pasi dy persona i kishin mbijetuar sulmit të parë.

“Vritini të gjithë”, citoi Washington Post fjalët e tij, por Hegseth ka mohuar pretendimet. Ligjvënësit i kanë kërkuar administratës të japë llogari lidhur me sulmet në Karaibe.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos