
Policia e Australisë ka arrestuar katër burra në Sydney të dyshuar se janë pjesë e një “rrjeti ndërkombëtar satanik” të përfshirë në prodhimin dhe shpërndarjen e materialeve të abuzimit seksual me fëmijë. Autoritetet thonë se hetimet vazhdojnë dhe se viktimat ende nuk janë identifikuar, shkruan a2 CNN.
Detektivja Supt. Jayne Doherty, e skuadrës së krimeve seksuale të Uellsit të Ri Jugor (NSË), deklaroi se grupi dyshohet se ka ndarë materiale “ekstremisht të neveritshme”, ku paraqiten fëmijë nga mosha foshnjore deri në 12 vjeç, si dhe akte abuzimi ndaj kafshëve. Ajo theksoi se përmbajtja përfshinte elemente ritualiste, simbole dhe tema të lidhura me satanizmin dhe okultizmin.
“Policia do të pretendojë në gjykatë se ky grup ndërkombëtar po angazhohej në biseda dhe ndarjen e materialeve që përshkruanin abuzimin me fëmijë dhe torturën e fëmijëve duke përfshirë simbole dhe rituale të lidhura me Satanizmin dhe okultizmin. Mijëra video u gjetën në pajisjet elektronike të sekuestruara gjatë disa bastisjeve të njëkohshme në prona në Sydney javën e kaluar. Midis këtyre imazheve të mjerueshme ishin edhe një numër videosh që përshkruanin abuzimin seksual të kafshëve”, deklaroi ajo, raporton A2 CNN.
Gjatë gjashtë bastisjeve të kryera javën e kaluar në Sydney, policia sekuestroi pajisje elektronike ku u gjetën “mijëra dosje” me materiale të abuzimit.
Një video e policisë tregon arrestimin e një 26-vjeçari në Waterloo, i konsideruar si një nga figurat kryesore të grupit. Ai u akuzua për posedim, shpërndarje dhe vënie në dispozicion të materialeve të abuzimit seksual me fëmijë, si dhe për posedim materialesh të abuzimit me kafshë, shkruan A2 CNN.
Tre të arrestuarit e tjerë, të moshave 46, 42 dhe 39 vjeç, u ndaluan në Malabar për akuza të ngjashme. Të gjithë u refuzuan për lirim me kusht dhe pritet të dalin në gjykatë në janar.
Operacioni ishte pjesë e Strike Force Constantine, një task-forcë e krijuar në prill për të hetuar rrjete ndërkombëtare të përfshira në shpërndarjen e materialeve të abuzimit me fëmijë me elemente ritualiste. Policia po vijon analizimin e materialeve të sekuestruara për të identifikuar fëmijët e përfshirë dhe anëtarë të tjerë të rrjetit.
Doherty e përshkroi rastin si “veçanërisht tronditës”, për shkak të natyrës ritualiste që shoqëronte komunikimet dhe veprimtarinë e grupit. (A2 Televizion)