Agresori thërret “Palestina e lirë”, detaje nga vrasja e punonjësve të Ambasadës Izraelite në Uashington

Nga Rosalba Bejdo
22 Maj 2025, 11:19 | Bota

Një akt i egër antisemitizmi. Kështu po cilësohet vrasja e dy punonjësve të Ambasadës Izraelite në Uashington, pranë një muzeu hebraik në kryeqytetin amerikan. Mediat lokale bëjnë me dije se një prej dy viktimave ishte diplomat izraelit.

Gjatë të shtënave me armë zjarri mbetën të plagosur edhe disa pjesëtarë të tjerë të stafit të ambasadës, shkruan A2. Për vrasjen e dyfishtë është arrestuar një 3-vjeçar nga Çikago, i identifikuar si Elias Rodriguez. Siç bënë me dije autoritetet, një çift i ri po dilte nga muzeu ku po mbahej një event për të ndihmuar banorët e Gazës, kur u qëllua me armë zjarri rreth orës 21 të mbrëmjes.

Agresori i dyshuar u dëgjua të thërriste “Palestina e lirë”. Ngjarja po hetohet nga policia e Uashingtonit dhe FBI-ja, që do të zbulojnë nëse ka lidhje të mundshme me terrorizmin: “Besojmë se vrasja është kryer nga një i dyshuar i vetëm, i cili është tani i arrestuar. Përpara të shtënave, i dyshuari u pa duke ecur para dhe pas muzeut. Ai iu afrua një grupi prej katër personash, nxori një pistoletë dhe hapi zjarr, duke i qëlluar dy viktimat. Pas të shtënave, i dyshuari hyri në muze dhe u ndalua nga forcat e sigurisë. Ai thërriti “Palestina e lirë” ndërsa shoqërohej nga policia”. 

Kreyministri izraelit Benjamin Netanjahu e cilësoi aktin si frut të urrejtes së egër kundër Izraelit dhe njoftoi se ka urdhëruar shtim të masave të sigurisë në të gjitha misionet diplomatike nëpër botë. Po ashtu, Presidenti amerikan Donald Trump u shpreh i hidhëruar nga sulmi, të cilin e quajti akt të qartë antisemitizmi.

“Këto vrasje të tmerrshme të bazuara tek antisemitizmi duhet të marrin fund tani. Urrejtja dhe radikalizmi nuk kanë vend në SHBA”, deklaroi Trump në një postim në rrjetet sociale.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos