Lista Studentore fiton zgjedhjet në Serbi, reagimet e para nga jashtë

Nga A2 CNN
25 Tetor 2026, 22:37 | Ballkani

Lista Studentore fiton zgjedhjet në Serbi, reagimet e para nga jashtë

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, uroi Listën Studentore për fitoren në zgjedhjet në Serbi dhe qytetarët e vendit për vullnetin e shprehur demokratik.

“Jam i bindur se ky rezultat zgjedhor do të hapë një kapitull të ri në marrëdhëniet mes Malit të Zi dhe Serbisë, të bazuar në miqësi, dialog të sinqertë dhe përkushtim ndaj së ardhmes sonë të përbashkët evropiane”, shkroi ai në X.

Kryeministri malazez, Millojko Spajiq, tha se zgjedhjet në Serbi rikujtojnë se vullneti i qytetarëve dhe e drejta për të vendosur lirisht për të ardhmen e tyre janë themeli i çdo ndryshimi demokratik, përcjell A2.

Duke uruar përfaqësuesit e Listës Studentore, ai shprehu besimin se marrëdhëniet mes dy vendeve do të mbështeten në respekt dhe dialog të hapur, pa ngritje të panevojshme tensionesh.

“Qytetarët e të dyja shteteve meritojnë marrëdhënie që maten me rezultate konkrete të bashkëpunimit dhe jo me thellësinë e mosmarrëveshjeve diplomatike”, shkroi Spajiq.

Ambasadori i Bosnje e Hercegovinës në OKB, Zllatko Llagumxhija, uroi studentët dhe qytetarët e Serbisë, duke e cilësuar fitoren e Listës Studentore si “një ditë të shkëlqyer për një të ardhme të begatë të Serbisë dhe rajonit”.

“Urime studentëve dhe popullit të Serbisë. Trashëgimia e Zoran Gjingjiqit jeton. Shpresoj se do të ecim së bashku dhe do ta shfrytëzojmë mundësinë për një fillim të ri në rrugën tonë të përbashkët drejt së ardhmes euroatlantike”, tha Llagumxhija.

Reagoi edhe kryeministri i Hungarisë, Peter Magjar, i cili mori detyrën pas fitores së partisë së tij, Tisza, ndaj Viktor Orbanit në zgjedhjet e prillit.

“Në Serbi, Vuçiq ka pranuar humbjen. Lista Studentore ka fituar shumicën absolute në zgjedhje. Festimet kanë nisur në rrugët anembanë Serbisë”, shkroi Magjar në X.

“A ju duket e njohur?”, shtoi ai./ REL (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos