Vrasja e punonjësve të ambasadës izraelite në Uashington, reagon Netanyahu

Nga A2 CNN
22 Maj 2025, 09:08 | Bota

Vrasja e punonjësve të ambasadës izraelite në Uashington,

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka reaguar për vrasjen e dy anëtarëve të ambasadës izraelite në Uashington, jashtë muzeut hebraik në kryeqytetin amerikan.

"Kryeministri Benjamin Netanyahu është thellësisht i tronditur nga sulmi i tmerrshëm antisemit në të cilin u vranë dy anëtarë të stafit të ambasadës izraelite në Uashington", shkroi zyra e kryeministrit në një deklaratë, duke shtuar se Netanyahu mori një përditësim të menjëhershëm mbi detajet e incidentit nga ambasadori i Izraelit në Shtetet e Bashkuara, Yehiel Leiter, duke shprehur mbështetjen e tij për të dhe të gjithë stafin e ambasadës.

Ndërkohë prokurorja e Përgjithshme e SHBA-së, Pam Bondi, foli me kryeministrin Benjamin Netanyahu, duke i ofruar atij të gjitha informacionet e disponueshme mbi sulmin në Uashington që vrau dy punonjës të ambasadës izraelite, duke theksuar se Presidenti Donald Trump ishte i përfshirë drejtpërdrejt në menaxhimin e incidentit dhe se Shtetet e Bashkuara do të angazhohen për ta sjellë autorin e sulmit para drejtësisë.

Në një konferencë për shtyp shefja e policisë së Uashingtonit, Pamela Smith, tha se viktimat, një çift i ri, po dilnin nga muzeu, i cili po organizonte një aktivitet, kur u qëlluan për vdekje, rreth orës 9 të mbrëmjes me orën lokale. Autori i cili ndodhet tashmë në paraburgim, bërtiti "Liri Palestinës", shtoi ajo. Policia e Uashingtonit dhe FBI-ja po hetojnë incidentin. Zyra e FBI-së në Uashington tha se nuk kishte "asnjë kërcënim të vazhdueshëm për sigurinë publike".

Dyshohet se vrasësi veproi i vetëm. "Ne besojmë se të shtënat u kryen nga një individ i vetëm. I dyshuari ishte parë vazhdimisht duke ecur para muzeut para të shtënave. Ai iu afrua një grupi prej katër personash, nxori një pistoletë dhe hapi zjarr, duke qëlluar viktimat", ​​tha Smith.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos