Aksidenti ajror me 179 viktima, Koreja e Jugut nis inspektimet në flotën e avionëve Boeing 737-800  

Nga A2 CNN
30 Dhjetor 2024, 10:16 | Bota

Aksidenti ajror me 179 viktima, Koreja e Jugut nis inspektimet në

Autoritetet e Koresë së Jugut po kërkojnë përgjigje për aksidentin ajror më vdekjeprurës ndër vite, teksa shtohen pyetjet në lidhje me rrethanat në të cilat Boeing 737-800 i Jeju Air u ul pa hapjen e rrotave, duke lënë të vdekur 179 prej 181 personave që ndodheshin në bord.

Ministria e transportit të Koresë së Jugut duket se i qëndron versionit të një goditjeje zogjsh gjatë fluturimit që shkaktoi probleme për uljen.

Në hijen e tragjedisë, autoritetet koreano-jugore njoftuan sot se po planifikojnë "inspektime speciale" në të gjithë flotën e Boeing 737-800 që përdoren në vend.

Një total prej 101 avionësh Boeing 737-800 janë aktualisht në përdorim në Korenë e Jugut.

"Ne po shqyrtojmë opsionet për të kryer inspektime speciale në lidhje me sigurinë e tyre”, tha Joo Jong-wan, një zyrtar përgjegjës për sektorin e aviacionit në ministrinë e Transportit.

Sakaq, një tjetër avion Boeing 737-800 i linjës ajrore me kosto të ulët Jeju Air përjetoi një problem të paspecifikuar të pajisjes së uljes , të ngjashëm me atë të raportuar nga ekuipazhi i të njëjtit lloj avioni që u rrëzua, por në këtë rast ai u kthye në aeroport nga ku sapo ishte nisur.

Agjencia kombëtare e lajmeve e Koresë së Jugut, Yonhap raporton se avioni i dytë me probleme ishte nisur nga aeroporti Gibo i Seulit për në Jeju.

39 nga 41 avionë në flotën e Jeju Air janë të llojit Boeing 737-800. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos