Qytetarët serbë po u drejtohen sot kutive të votimit këtë të diel për zgjedhje të parakohshme parlamentare, të tretat në pesë vjetët e fundit. Në to, një lëvizje studentore e dalë nga një nismë qytetare do të synojë t’i japë fund pushtetit 14-vjeçar të Aleksandar Vuçiçit dhe Partisë Përparimtare Serbe.
Qendrat e votimit janë hapur nga ora 07:00 deri në orën 20:00, ndërsa të drejtë vote kanë mbi 6 milion e 450 qytetarë.
Vuçiç dha dorëheqje nga posti i presidentit në fund të shtatorit dhe meqë nuk mund të kandidojë për një mandat të tretë, ai tani synon të bëhet kryeministër. Në një klimë përçarjesh të thella dhe tensionesh shoqërore, Partia Përparimtare Serbe synon ta ruajë pushtetin pas dy vjetësh protestash masive kundër Qeverisë dhe korrupsionit në mbarë vendin.
Por, për herë të parë në shumë vjet, ajo përballet me një sfidues të vërtetë: Listën Studentore, një lëvizje e dalë nga këto protesta. Sondazhet e deritanishme tregojnë se elektorati në Serbi është kryesisht i ndarë mes atyre që mbështesin një koalicion të gjerë të ndërtuar rreth partisë në pushtet dhe atyre që përkrahin lëvizjen studentore.
Studentët nuk kanë udhëheqës formalë, ndërsa lista e tyre zgjedhore përbëhet nga figura jopartiake, shumica prej të cilave janë profesorë universitarë. Me mijëra vetë dolën në shesh në tubimin përmbyllës të studentëve, megjithatë fushata zgjedhore është shoqëruar me shqetësime gjithnjë e më të mëdha se mund të ketë manipulime zgjedhore.
Zgjedhjet po ndiqen nga afër nga Bashkimi Evropian, i cili e ka kritikuar Serbinë për prapakthim në demokraci nën udhëheqjen e Vuçiçit.
(A2 Televizion)